Zoran Mojsiloviq, deputet nga Lista Serbe. Foto: Facebook

Deputeti i Listës Serbe: Dialogu Prishtinë Beograd, Jo Kosovë- Serbi

Anëtari i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Zoran Mojsiloviq, ka reaguar sot në mbledhjen e këtij komisioni rreth procesverbalit të një mbledhjeje të kaluar rreth një reference të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

Deputeti nga Lista Serbe u ankua se dialogut të cilit ai i është referuar si “Prishtinë- Beograd”, në procesverbal i ka dalë si “Kosovë- Serbi”.

“Në fjalimer e mia unë kërkoj t’i referohet dialogu Prishtinë- Beograd”, tha Mojsiloviq.

I menjëhershëm ishte reagimi i Rexhep Selimit nga Vetëvendosje i cili e pyeti anëtarin e komisionit se si i referohet ai këtij dialogu.

Mojsiloviq tha se ai i referohet dialogut “ashtu siç referohet në Bruksel, pra dialogu Prishtinë- Beograd”.

Pas këtij debati Haxhi Shala tregoi se administrata e Kuvendit  e ka përmirësuar atë që është në procesverbal.