Deputeti e Ministri ‘Ndeshen’ për Buxhetin

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Faton Topalli ka pasur vërejtje ndaj projektbuxhetit të Qeverisë së Kosovës, ku sipas tij nuk ka rritje të buxhetit qysh po deklaron qeveria, por se rritja është vetëm 16 cent për person.

“Dua ta thjeshtëzoj materialin prej 400 faqesh për qytetarët e Kosovës. Rritja e buxhetit është një rritje në tavolinë, për qytetarin e rëndomtë duket një rritje e jashtëzakonshme, por në fakt është një rritje shumë e vogël. Vetëm 16 centë është ndryshimi. Ministër thuajani qytetarëve se me 16 centë në ditë sa do të rritet mirëqenia e tyre, cilësia në arsim, nëse jeni të sinqertë duhet t’ju tregoni qytetarëve se nuk ka asnjë ndryshim”, tha në mes tjerash deputeti Topalli.

Ai e ka quajtur këtë buxhet si përsëritje të buxheteve të Qeverisë Mustafa.  Sipas deputetit të VV-së nuk ka ndryshime të politikave ekonomike.

Mirëpo në lidhje me këtë ka reaguar ministri Hamza që e ka quajtur analizën e Topallit si puro politike dhe aspak profesionale.

“Kosova ka nevojë më të madhe ekonomike, por rritja ekonomike sipas Bankës Botërore prej 4.8 për qind është rritja më e madhe në rajon. Gjatë këtij mandati nuk janë paraparë norma të reja tatimore. Ky buxhet pjesën më të madhe ua kushton investimeve kapitale, aty ku taksat e qytetarëve kthehen prapa te ata. Analiza e juaj z.Topalli ishte puro politike dhe aspak profesionale”, u përgjigj në replikë ministri Hamza.

Në Kuvend është duke u shqyrtuar projekt-buxheti i vitit 2018.