Deputeti Akuzon Ministren me Fjalë të Churchill-it

Në seancën e Kuvendit ku po diskutohet për ndotjen alarmante në Prishtinë, deputeti Nait Hasani dhe ministrja e Ambientit Albena Reshitaj janë përfshirë në një poelemikë.

“Ministre zbatoje ligjin, merri masat me ato task forca që kam dëgjuar ke folë, nuk të zgjidhin probleme as ato. Sa ministrat e sa task forcat janë formu, me asi këshilla nuk është zgjedh asniherë”, tha Hasani.

Më tutje Hasani ka përmendur edhe fjalë të burrështetasit britanik Winston Churchill për të argumentuar atë që thoshte.

“Churchilli ka thanë nëse nuk doni me zgjedh probleme, formoni këshilla. Kështu që këto këshilla qe i ke formu nuk janë për me zgjidhë problem, prandaj zgjidhja e problemit fillon drejtpërdrejt e vetvetiu me angazhimin, e jo me këshilla. Zbatoje ligjin e i ke zgjedh krejt problemet”, sugjeroi Hasani.

Kërkesave të Hasanit për veprime, ministrja iu përgjigj me fjlët se më nuk ka kohë për eksperimentime.

“Po i nderuar deputet, ne i kemi bërë ligjet, i kemi rishqyrtuar me vite dhe kemi humbur shumë kohë duke u arsyetuar se ne po i rishqyrtojmë e po i rishqyrtojmë. Sot më nuk kemi kohë të eksperimentojmë me ligjet, mendoj që i kemi ligjet, korniza ligjore në 85% është optimalisht e mundshme të funksionojë”, tha ministrja Reshitaj.

Ajo deklaroi se nuk mund të paragjykojë se kush është ndotësi më i madh në Kosovë.

“Si një qytetare e thjeshtë mund të aludoj apo të paragjykoj se ndotësi më i madh është KEK-u apo nafta apo diçka tjetër, mirëpo për të udhëheqë një shtet ne duhet të bazohemi në fakte shkencore, ne duhet të bazohemi në hulumtime ekzakte, hulumtime të thukta e pastaj të dalim e të konkludojmë”, tha Reshitaj.

Hasani pastaj tha se ajri nuk është vetëm tash i ndotur, por që një kohë të gjatë.

“Këto probleme ekzistojnë, ajrin e kemi të ndotur, nuk është këtu kiameti që u bon në këto tri ditë në Prishtinë. Ajri ka qenë edhe vitin e kalum, ajri i ndotun është prej pasluftës nga cilësia e naftës, jo nga thëngjilli i KEK-ut”, tha Hasani.