Labinot Tahiri, deputet. Foto: Facebook

Deputeti i AKR-së Kritikon Kolegët Serbë Për Mos-Prezencë në Seancë

Në debatin për ndotjen alarmante që po zhvillohet në Kuvend, deputeti i AKR-së, Labinot Tahiri fjalimin e tij e nisi me kritikë ndaj deputetëve serbë, të cilët nuk ishin prezentë në seancë.

“Mos marrja pjesë e tyre po na injoron neve si shqiptarë të këtij parlamenti, e dyta ata po jetojnë në Prishtinë e në Kosovë dhe është shqetësim i njëjtë edhe për ata ndotja e ambientit”, tha ai.

Tahiri shtoi ndotja e ajrit ndikon edhe te qytetarët serbë.

“Nëse ne kemi shqetësim ndotjen e ambientit në Prishtinë apo në Kosovë, edhe ata duhet të jenë pjesëmarrës në këto seanca të jashtëzakonshme, apo nuk u dhimbsen qytetarët e tyre të komunitetit serb”, tha ai.

Por, ai kritikoi edhe deputetër shqiptarë.

“Mos-marrja pjesë edhe e deputetëve tanë shqiptarë në parlament, ku edhe unë isha nënshkrues i saj, dhe sot po shihet se sa janë këtu, na tregon sa i meritojnë t’i marrin pagat mujore nga shteti. Pra, se meritojnë fare”, tha Tahiri.

Në fund ai tha se gishti nuk duhet drejtuar vetëm tek ministrja e Ambientit, Albena Reshitaj, ngase siç u shpreh “nuk jeton veç ajo në Prishtinë, po edhe ministrat tjerë, presidenti e deputetët”.