Aktgjykimi për Rrahjen e Deputetëve, të Premten

Vendimi i gjykatës në rastin e përleshjes së deputetëve do të merret më 15 prill, të premten.

Kjo u bë e ditur në fund të seancës së sotme, në të cilën të gjitha palët dhanë fjalën e tyre përfundimtare për incidentin që kishte ndodhur në qershor të vitit 2012.

Gjatë seancës së sotme, prokurorja e rastit kërkoi që të akuzuarit, deputetët Visar Ymeri e Rexhepi “të dëmohen sipas ligjit”.

Edhe i dëmtuari në rastin e përleshjes së deputetëve, Bekim Haxhiu, kërkoi që të akuzuarit Visar Ymeri e Rexhep Selimi të dënohen “në bazë të ligjit”, përderisa Selimi u shpreh se “gjykata duhet ta vërtetojë lidhjen kauzale” në këtë rast.

“E tëra kjo është e motivuar politikisht. Shpresoj që gjykata nuk do të bie në këtë ndikim. Të gjitha dëshmitë e këtij rasti janë kontradiktore dhe demantojnë njëra- tjetrën”, tha Selimi

“Theksoj se mes meje dhe Bekim Haxhiut e as mes meje e Latif Gashit nuk ka pasur kurrfarë konflikti fizik prandaj kërkoj nga gjykata që ta hedhë poshtë këtë aktakuzë dhe të na lërë të qetë që t’i kryejmë punët tona”, tha Selimi.

Edhe Visar Ymeri e konsideroi procesin gjyqësor me “prapavijë politike”.

“I dëmtuari është munduar ta falsifikojë motivin që ne ta sulmojmë… kjo është një ngjarje e sajuar në kokën e Bekim Haxhiut, e bartur në kokën e prokurores së rastit e cila po më çuditë shumë sepse në fjalën përfundimtare ajo nuk mori parasysh as dëshmitarët të cilët i kishte thirrë vetë, e as provat, por mbeti në fjalën fillestare të saj”, tha Ymeri.

11:15

Prokurorja Kërkon Dënimin e Visar Ymerit dhe Rexhep Selimit

Pasi kanë shikuar xhirimet e incidentit të rrahjes në Kuvend, deputetët kanë mbrojtur qëndrimet e tyre.

“Mendoj se këto xhirime i kanë ndihmuar procesit”, tha Rexhep Selimi, i cili akuzohet për sulm ndaj kolegut të tij, Bekim Haxhiu.

Ky i fundit gjithashtu ka dhënë versionin e tij.

“Shihet se iniciues i sulmit është Rexhep Selimi dhe të tjerët”, tha Haxhiu i cili në këtë rast është në cilësinë e të dëmtuarit.

“Mendoj se ka qenë tentim-vrasje nëse nuk do të ndërhynte policia”, shtoi Haxhiu.

Në një rast, gjatë seancës së sotme, Haxhiu iu drejtua Selimit me fjalët “mshele ti, mshele”.

Në këto momente fjalën përfundimtare është  duke e dhënë Prokurorja e rastit e cila tha se i qëndron aktakuzës, ngase “akuza është e bazuar në ligj dhe në prova të pranueshme”.

“Në bazë të këtyre provave vërtetohet dyshimi i bazuar se të akuzuarit e kanë kryer veprën penale të lëndimit të lehtë trupor”, tha Prokurorja.

Ajo kërkoi nga gjykata që të Visar Ymeri, Rexhep Selimi e Besart Bujupi “të shpallen fajtorë dhe të dënohen në bazë të ligjit”.

10:44

Deputetët Shikojnë Xhirimet e Përleshjes mes Tyre

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka filluar seanca ndaj deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Visar Ymeri dhe Rexhep Selimi si dhe Besart Bujupit.

Deputetët e Vetëvendosjes Selimi, Ymeri si dhe vozitësi Bujupi akuzohen se më 28 qershor 2012 kanë sulmuar deputetin e PDK-së Bekim Haxhiu në mjediset e Kuvendit të Kosovës.

Haxhiu në këtë rast është në cilësinë e të dëmtuarit.

Në seancën e sotme ku pritet dhënia e fjalës përfundimtare, Visar Ymeri i cili është shoqëruar në gjykatë, ka kërkuar që të shikohen edhe një herë xhirimet e ditës kur ka ndodhur përleshja mes tyre, te hyrja e ndërtesës së Kuvendit.

Por i dëmtuari Haxhiu ka kërkuar që në rast se aprovohet propozimi i Ymerit, atëherë të shikohen edhe xhirimet tjera që janë prova të aktakuzës.

Propozimin e Haxhiut e mbështeti edhe i akuzuari tjetër në këtë rast, Rexhep Selimi.

Kërkesa për t’i parë xhirimet është miratuar nga trupi gjykues dhe aktualisht deputetët po i shikojnë ato pamje.