Deputetët Sërish në Telashe me Raportin Financiar të RTK-së

Radio Televizioni i Kosovës ka dërguar në Kuvend programin e shpenzimeve të planifikuar për periudhat prill- qershor,  ku ka kërkuar nga Kuvendi që të transferojë mjete nga buxheti i Kosovës një shumë prej 2 milionë e 750 mijë euro duke pasur edhe kërkesa të tjera për kategori të ndryshme të RTK-së.

Kjo ngjalli polemika mes përfaqësuesve të Bordit të RTK-së dhe anëtarëve të Komisionit për Buxhet dhe Financa.

Kryetari i Bordit të RTK-së, Ismet Bexheti, tha se janë munduar që të shpenzojnë më pak sa i takon marketingut të RTK-së.

“Megjithëse ky raport ka ndryshime nga ato të parashikuarat lidhur me marketingun ne prapë kemi arritur që ta mbajmë një balancë sa i përket shpenzimeve. Kemi shpenzuar më pak, ashtu siç janë të parashikuara. Janë më pak, mendoj se kemi dalë me një bilanc pozitiv”, tha Bexheti.

Por anëtarja e Komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Shqipe Pantina, kundërshtoi raportin e RTK-së duke thënë se raporti i shpenzimeve nuk është përshkruar.

“Çështja është se ne kemi një raport të thatë si zakonisht. Nuk ka asnjë ndryshim i cili paraqet numra por nuk ka asnjë shpjegim narrativ ose pse janë bërë tejkalimet, mbi çfarë vendimi dhe është një rregull nëpër institucione të tjera që çdo tejkalim mbi 10 % duhet me marrë pëlqimin e atij që e miraton buxhetin e në këtë rast pëlqimin tonë”, tha Pantina.

http://kallxo.com/deputetet-kerkojne-kthimin-e-parapagimit-per-rtk-ne/

Pantina kërkoi sqarim nga ana e bordit të RTK-së, për një kategori të re të shpenzimeve të RTK-së e cila quhej pasuri e paprekshme.

Deputetja nga PDK-ja, Labinotë Demi- Murtezi, kërkoi sqarim se përse bordi i RTK-së, nuk ka sjellë para komisionit listat e punëtorëve të kërkuara mbledhjet e kaluara.

“Listat siç po shihet nuk i kemi. Jemi marrë vesh që nuk duhet të jenë sekrete dhe nuk duhet të mbahen sekrete”, tha Demi-Murtezi.

Demi shtoi se listat janë kërkuar edhe për grupin punues.

Ajo shtoi para komisionit se fakti i pagesave për programe të vitit të ri është për tu habitur.

http://kallxo.com/grupi-deputeteve-gjen-rreth-200-punetore-kontrate-mbi-veper-ne-rtk/

“Më habit fakti që ka ende pagesa për programin e Vitit të Ri”, shtoi ajo.

Besa Gaxherri nga radhët e LDK-së, iu drejtua përfaqësuesve të bordit të RTK-së se ku e  kanë marrë raportin e shpenzimeve.

“Këtë raport që e kemi marrë e që e keni prezantu ju nuk e di ku e keni marrë. Po kërkoj njëherë që kodet buxhetore të shpenzimeve të RTK-së a janë të jujat apo të ndërmarrjes prej të cilës e keni bërë copy- paste këtë material”, tha Gaxherri.