Diskutimi për barnat e fibrozës cistike në komision | Foto: KALLXO.com

Deputetët premtojnë futjen e barnave për fibrozë cistike në Listën esenciale

Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale është zotuar se do ta përkrahë kërkesën e shoqatës për personat e prekur me fibrozë cistike që terapia mjekësore që përdoret për këtë sëmundje të hyjë në listën e barërave esenciale.

Ismet Jahiri, përfaqësues i autorizuar i shoqatës, ka thënë para Komisionit për shëndetësi se kjo sëmundje trashëguese – gjenetike, nuk ka tretman profesional mjekësor në Republikën e Kosovës e gjithashtu as medikamentet me të cilat trajtohet nuk janë të përfshira në listën esenciale të barnave.

Jahiri tha se kostoja e këtyre barnave është e papërballueshme për familjet.

Jahiri tregoi se shoqata i ka bërë dy kërkesa në Ministrinë e Shëndetësisë rreth barnave të fibrozës cistike, por nuk kanë marrë përgjigje.

“Në vendin tonë nuk kemi profesionistë të trajnuar për trajtimin e këtyre pacientëve me ç’rast qytetarët tanë detyrohen që ta bëjnë jashtë shtetit”, tha ai.

Sipas Jahirit, të sëmurët me fibrozë cistike janë gjithmonë me terapi mjekësore e cila nuk gjendet në Kosovë dhe ka kosto financiare deri në 1 mijë e 600 euro në muaj.

“Në çdo shujtë dhe mes-shujtë ditore duhet të përdoret obligativisht terapia me përmbajtje enzimash siç është caps. Creon, gjithashtu terapi inhalacioni amp. Pulmozyme 1 apo 2 ampula në ditë dhe vitaminat ADEKs”, tha Jahiri.

Numri i të prekurve të regjistruar në shoqatë sipas Jahirit është 125 e që ky numër sipas tij mund të jetë edhe më i madh në tërë territorin e Kosovës.

Jahiri kërkoi nga komisioni që t’i bëjnë kërkesë Ministrisë së Shëndetësisë për futjen e këtyre barërave në listën esenciale dhe gjithashtu të krijohet një repart i veçantë në kuadër të QKUK-së për të prekurit me këtë sëmundje.

E anëtarët e Komisionit janë zotuar se do të bëjnë kërkesë të tillë në MSH, duke thënë se edhe ashtu është duke u rishikuar lista esenciale.

Besa Baftiu, kryetare e këtij komisioni tha se do t’i kenë parasysh këto kërkesa.

Sipas saj, edhe ministri Uran Ismajli, ka potencuar sedo ta kenë parasysh që këto barëra të futen në listë esenciale.

Flora Brovina, tha se do të bëhet pjesë e kësaj shoqate nëse e pranojnë dhe se do ta kenë përkrahjen e saj.

Edhe Fatmire Kollçkau tha se pasi është duke u bërë revidimi i listës esenciale do të insistojnë që këto barna të futen në listë esenciale.

Fibroza cistike karakterizohet me bllokim dhe infeksion të rrugëve të frymëmarrjes si dhe shkakton pengesa në tretje.