Deputetët në Kërkim të Modelit për Ligjin për RTK-në

Anëtarët e Komisionit parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media kanë diskutuar të premten për nisjen e hartimit të një ligji për Transmetuesin Publik të Kosovës (RTK).

Në debatin brenda mbledhjes së Komisionit, anëtarët kanë folur për gjetjen e një modeli në bazë të të cilit pritet të fillojë hartimi i dokumentit i cili pritet t’i japë zgjidhje shumë çështjeve të cilat kanë mbetur peng për RTK-në që nga themelimi i saj në vitin 1999.

Kryetari i Komisionit, Nait Hasani (PDK), tha se pret që në mbledhjen e ardhshme të zgjidhet një model.

“Një model duhet të sillet nga kudo qoftë, një model i ligjit që është aktual dhe një model mund të jetë draft ligji i mëparshëm”, tha Hasani.

Nënkryetarja e këtij Komisioni Shqipe Pantina (VV) propozoi që grupi punues për hartimin e ligjit të zgjerohet me përfaqësues nga bordi i RTK-së, Sindikata e RTK-së,  Asociacioni i Gazetarëve,  përfaqësues të universiteteve në cilësinë e ekspertëve dhe nga KPM.

Me propozimin e Pantinës u pajtua edhe Xhevahire Izmaku e PDK-së, por jo në tërësi edhe Milaim Zeka nga NISMA, i cili për model propozoi ligjin suedez.

“Nuk pajtohem të merren ne bord te gjithë. Nuk kemi nevoje t’i marrim AGK-në… Unë propozoj veç sindikatën e RTK ta marrim. Propozoj po ashtu të marrim ekspert skandinavë”, tha Zeka.

Kryetari i komisionit Nait Hasani dhe Rasim Selmanaj u shprehen kundër një grupi punues gjithëpërfshirës për shkak se, siç thanë, grumbullimi i shumë njerëzve zvarrit punën.