Ministria e Shëndetësisë - Foto: KALLXO.com

Deputetët Mjekë Zotohen ta Zhveshin Shëndetësinë nga Skandalet

Katër deputetë mjekë të legjislaturës së dalë nga zgjedhjet e 11 qershorit thonë se duhet të punohet më shumë që në shëndetësi të ketë ndryshime pozitive.

Pal Lekaj deputet i Koalicionit PAN, njëri nga mjekët e futur në Kuvend thotë se në shëndetësi duhet të ndodhin ndryshime thelbësore.

“Ajo çka duhet dhe do të bëjmë përmes qeverisë që do ta udhëheqë z.Haradinaj është ndryshimi në thelb në mënyrën e menaxhimit të këtij sektori, duke e ditur se nga kush dhe pse po krijohet gjithë kjo gjendje e rënduar nga e cila e pësojnë me se shumti qytetarët e zakonshëm”, tha Lekaj për KALLXO.com.

Ai më tutje u zotua se shëndetësia do të zhvishet nga skandalet.

“Do ta ‘zhveshim’ fillimisht nga gjithë këto skandale e mosfunksionim, që ka ndodhur dhe si të thuash, do të rinisim nga zero për të funksionalizuar gjithçka, në kuptimin e plotë të fjalës, përsa i përket sistemit të shëndetësisë”, tha Lekaj.

Deputetja e sapozgjedhur nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Fatmire Mulhaxha- Kollçaku tha se ajo personalisht do të angazhohet për kompletimin e legjislacionit për shëndetësi.

“Do të angazhohem për nxerrjen e akteve nënligjore nga ana e institucioneve përgjegjëse, në këtë rast Ministrisë së Shëndetesise por edhe ministrive të tjera, sepse shumë ligje nuk zbatohen për shkak të moshartimit të këtyre akteve dhe rregulloreve përkatëse”, Mullhaxha- Kollçaku.

Ajo tha se duhet të bëhen sa më shpejt sigurimet shëndetësore dhe se përveç financimit të qëndrueshëm, e rëndësishme është të vihen në institucione njerëz që dinë të menaxhojnë me to.

“Ka pasur shumë dështime në fushën e menaxhimit të institucioneve shëndetësore dhe shumë afera korruptive. Qytetarët nga mosbesimi në këto institucione fatkeqësisht deri tani kanë derdhur me miliona euro në institucione jashtë vendit. Kjo duhet te ndalet menjëherë me zgjedhjen e njerëzve të duhur në pozita të rëndësishme”, tha ajo.

Sigurimet shëndetësore i përmendi edhe Pal Lekaj që tha se ato në fillim duhet t’i mbulojë shteti.

“Shteti duhet ta financojë derisa nuk stabilizohet fondi i atyre sigurimeve. Nuk duhet të ketë më tutje vonesa në këtë drejtim dhe besoi fortë se do ti jepim zgjidhje të shpejt edhe kësaj çështje sepse është e domosdoshme për njerëzit që kanë nevojë për shërbime shëndetësore” tha Lekaj.

1 korriku i këtij viti ishte paraparë si dita e fillimit të mbledhjes së premiumeve për sigurimet shëndetësore, një pagesë e policës së sigurimeve për individë dhe organizata, por kjo mbledhje u shty nga qeveria në detyrë.

Sigurimet shëndetësore janë përmendur deri tash nga tre ministra, por nuk kanë filuar të zbatohen.

http://kallxo.com/deshtimet-e-vazhdueshme-per-mbledhjen-e-premiumeve-shendetesore/

Lekaj foli edhe për mungesën e barnave.

“Disa gjërave po ju del afati, a në ndërkohë mungojnë ato më elememtaret për pacientë, pra ka një mori çështjesh praktike me të cilat nuk është marrë askush, përderisa në letra kanë krijuar borde e oda të cilat nuk e kanë luajtur asnjë rol në thelb për atë çka edhe thirren se janë krijuar”, tha ai për KALLXO.com.

KALLXO.com ka shkruar eedhe për mungesa të gjërave elementare në shëndetësinë kosovare.

http://kallxo.com/mungese-e-dyshekeve-per-shtreter-ne-qkuk/

http://kallxo.com/mungese-e-manteleve-sterile-ne-qkuk/

Ndërsa Besa Baftiu, deputetja e Vetëvendosjes gjithashtu mjeke, tha se nuka ia vlen të komentohet rizgjedhja e Curr Gjocajt në krye të Shërbimit Shëndetësor Klinik Universitar të Kosovës.

“Rizgjedhja e një njeriu që është përgjegjës për këtë gjendje të keqe të ShSKUK –së nuk do koment. Vetëm po vërtetohet ajo që tanimë e kemi dëgjuar në ‘klanin pronto, daja, nipi e kështu me radhë”, tha ajo.

Problemet në shëndetësi nuk i mohon as Flora Brovina mjekja e rizgjedhur deputete nga radhët e PAN-it.

Brovina që drejtoi Komisionin e Kuvendit për Shëndetësi, i cili monitoroi Ligjin për Shëndetësi, tha se ky ligj duhet të ndryshohet dhe plotësohet.

Brovina deklaroi se Prishtinës i duhet spital i veçantë.

“Kemi pa se ka shumë të meta dhe ky ligj domosdo duhet të ndryshohet apo plotësohet. Kemi monitoru funksionomin e institucioneve primare sekondare dhe këtu mendoj se domosdo Prishtina duhet ta ketë spitalin e vet“, tha Brovina për KALLXO.com.

Brovina tha se Bordi i ShKUK-së po kryen funksione që duhet t’i kryejë ministri i shëndetësisë.

“Ne kemi bërë një analizë kemi parë që është një funksion i dyfishtë, ndërsa kemi parë që menaxhohet nga ministria dhe menaxhimi i punëve bëhet nga një bord dhe drejtori i SHSKUK dhe prandaj po them që kjo duhet të ndryshojë”, tha Brovina për KALLXO.com.