Objekti ku do të vendoset Gjykata Speciale | Foto: Wikimedia

Deputetët- Mendime të Ndryshme rreth Nismës për Specialen

Deputetët janë ndarë në lidhje me nismën për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorit të Specializuar.

Disa nga deputetët nënshkrues të nismës, vazhdojnë ta mbrojnë qëndrimin e tyre, përderisa ata që e kundërshtojnë nismën janë njësoj të vendosur që të mos lejojnë jetësimin e saj.

Të dy palët veprimet e tyre i lidhin me Kosovën.

Time Kadriaj, deputete e AAK-së dhe përkrahëse e shfuqizimit të ligjit për Gjykatën Speciale thotë për rtv21.tv se kjo gjykatë do ta dëmtojë rëndë imazhin e Kosovës.

“Jemi mundu që me nënshkrimet tona dhe me votimet në procedurë me  e përmirësu ni padrejtësi që i është bërë Kosovës”, thotë Time Kadriaj.

Ajo tregon se ishte pjesëtare e UÇK-së dhe e di çfarë lufte të drejtë bënë ushtarët e kësaj ushtrie.

“Ju e dini që kam qenë edhe pjesëtare e UÇK-së me profesion mjeke dhe shumicën e atyre personave që kanë qenë të plagosur i kam mjeku”, tha Time Kadriaj.

Por Vjosa Osmani, deputete e LDK-së, nismën për zhbërjen e speciales e konsideron të dëmshme për vendin.

“Ne do të marrim çdo veprim institucional natyrisht për ta pamundësuar një iniciativë të tillë, sepse besojmë fuqishëm që është në dëm të sovranitetit të Kosovës dhe e dërgon Kosovën prapa në kohën kur qeverisej nga UNMIK-u”, tha Osmani për rtv21.tv.

Deputetët e Kosovës në vitin 2015 miratuan në Kuvend Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorin e Specializuar, duke i hapur rrugë krijimit të Gjykatës Speciale që do të merret me krimet e mundshme të kryera nga pjesëtarët e UÇK-së.

Të premten që shkoi 43 deputetë nënshkruan nismën për shfuqizimin e miratimit të ligjit të para dy vjetëve, por Kryesia e Kuvendit dy herë nuk pati kuorum për ta dërguar për shqyrtim në Kuvend këtë iniciativë.