Deputetët i Kërkojnë Ministrit të Mos Zvarriten Masat për ‘Trepçën’

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, është përballur sot me pyetjet e deputetëve anëtarë të Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik rreth gjendjes në ndërmarrjen “Trepça”.

Kryetarja e këtij komisioni, Sala Berisha- Shala, i kujtoi ministrit se Ligji për Trepçën ka hyrë në fuqi në vitin 2016 por deri më tani nuk janë ndërmarrë masa për implementimin e këtij ligji.

“Me ligj, Trepça është dashur të ketë bord të ri, statut të ri, menaxhment të ri. Asnjë nga këto që u përmendën nuk janë realizu… është një situatë e komplikuar dhe duam të dimë si do t’i qaseni ju menaxhimit të Trepçës”, tha deputetja Berisha- Shala.

Ministri Lluka tha se kur e ka marrë pozitën, para 6 muajsh, e ka gjetur situatën e tillë në Trepçë.

“E kemi gjetur në situatë të pa zgjidhje. Në shtator kemi fillu procesin e hetimit të bordit të Trepcës”, tha ai.

Ai tha se gjatë muajit të ardhshëm pret që bordi i ndërmarrjes të bëhet funksional.

Por deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, u nda i pakënaqur nga përgjigja që dha ministri Lluka.

“6 muaj janë shumë dhe pas 6 muajve nëse nuk ka hap konkret për Trepçën, frika ime është që edhe 6 muaj më vonë nuk do të arrihet me e futë në binarë çështjen e Trepçës”, tha ministri Lluka.

“Nuk do të besoja që për këtë qeveri kalojnë 6 muaj e nuk ka bord funksional te Trepçës. Asnjë hap nuk keni lëvizë në përzgjedhjen e njerëzve që janë mbi 100 kandidatë. Nëse është dashtë 9 persona m’i zgjedhë ka pas kandidatë të mjaftueshëm”, tha Krasniqi.

Ndërsa Dardan Sejdiu nga Grupi i Deputetëve të Pavarur ka thënë se Trepça tash e 18 vjet është duke u trajtuar në mënyrë të njëjtë nga institucionet ndërsa shprehu dyshime për funksionimin e ligjit.

“Kur është sjell ligji në Kuvendin e Kosovës edhe leximi i pare dhe i dytë është bërë për 24 orë”, tha ai.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se para se t’i ndryshohet statuti, Trepçës duhet t’i bëhet një inventarizim.

“A keni planifiku që të keni procese monitoruese gjatë pranim dorëzimit? Në rastin e ndryshimit të statusit të Trepcës të ketë regjistër inventarizim të të gjitha aseteve”, tha ajo.