Ilustrim

Deputetët iniciojnë marrjen e masave ndaj përgjegjësve të skandalit të mishit

Kuvendi i Kosovës ka miratuar rekomandimet nga debati i javës së kaluar në lidhje me skandalin e mishit të prishur të ardhur nga Belgjika si dhe për cilësinë dhe sigurinë e ushqimit në Kosovë.

Me 76 vota për dhe asnjë kundër e abstenim, deputetët miratuan këto rekomandime.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka lexuar rekomandimet që janë nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës dhe u votuan sot.

  • Kryeministri të marrë masa adekuate ndaj përgjegjësve, bordit dhe menaxhmetit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës
  • Organet e drejtësisë të fillojnë menjëherë hetimet ndaj institucioneve përgjegjëse publike dhe subjekteve private që sjellin produkte të dyshimta në treg,
  • Të bëhet mbështetja më e madhe buxhetore për AUV-in,
  • Në funksion të rritjes së transparencës, AUV-i të pasqyrojnë të gjitha të dhënat e veprimtarisë së inspektorëve në faqen e tyre,
  • Të rishikohet legjislacioni përkatës që saktëson periudhat kohore minimale para skadimit të afatit të përdorimit të produkteve ushqimore që importohen në Republikën e Kosovës
  • Të rritet mbështetja financiare për masat mbështetëse të Programit për Zhvillim Rural që rrit prodhimin vendor.

Këto rekomandime u votuan sot, ndërsa diskutimet disaorëshe për këtë çështje janë mbajtur javën e kaluar.

Në mars shpërtheu skandali i mishit nga Belgjika kur në këtë shtet një kompani që kishte importuar mish edhe në Kosovë u mbyll për shkak të kushteve johigjienike të mbajtjes së mishit.

Nëpër komunat kosovare pas këtij skandali janë sekuestruar sasi të shumta të mishit të mbajtura nën standardet e kërkuara për këtë produkt.