Deputetët e VV-së Paralajmërojnë Mospjesëmarrje në Shpalljen e Aktgjykimit

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, e bashkakuzuar  me Albin Kurtin, Donika Kadaj- Bujupin dhe Faton Topallin, ka paralajmëruar se nuk do të jetë e pranishme në shpalljen e aktgjykimit në rastin e tyre.

Përmes një postimi në profilin  e saj në  “Facebook”, Haxhiu ka njoftuar se ajo dhe të akuzuarit e tjerë nuk do të jenë të pranishëm në shpalljen e aktgjykimit.

“Ne, deputetët e akuzuar, nesër nuk do të jemi në seancë për të dëgjuar një aktgjykim politik! Sigurisht që nesër do duhej të nxirrej aktgjykim lirues dhe jo fajësues por duke e parë kapjen e këtij sistemi të drejtësisë, kjo duket e pamundur”, ka shkruar Haxhiu mbrëmë në Facebook.

Haxhiu më tej në njoftimin e saj thotë se pretendimet e prokurorit të rastit Valdet Gashi nuk janë argumentuar me prova.

“Asnjë prej pretendimeve që i ka ngritur prokurori, nuk janë të mbështetura me prova e fakte! Gazi lotsjellës nuk është armë. Në fakt ishte mjeti i vetëm e i domosdoshëm për ta shpëtuar Kosovën nga coptimi dhe bosnjëzimi”, shkruan Haxhiu.

Krejt në fund, Haxhiu thotë se pavarësisht dënimeve që mund të shqiptohen ndaj tyre do të gjithnjë veprojnë në të mirë të vendit.

Gjykata Themelore e Prishtinës sot nga ora 13:00 do të shpallë aktgjykimin ndaj Albin Kurtit, Albulena Haxhiut, Faton Topallit dhe Donika Kadaj- Bujupit.

Të katër deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje akuzohen për hedhje të gazit në seancën e Kuvendit të Kosovës me qëllim të pengimit të ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin  e Zi dhe Marrëveshjen për Bashkësinë e komunave me shumicë serbe.

http://kallxo.com/sot-shpallet-aktgjykimi-ndaj-deputeteve-te-vetevendosjes/