Albulena Haxhiu, Deputete

Deputetët e VV-së ia Kthejnë Thaçit: Pa Ty Ditë më të Mira i Vijnë Vendit

Albulena Haxhiu e Xhelal Sveçla reaguan pas akuzave të Presidentit Thaçi ndaj Albin Kurtit dhe VV-së.

Albulena Haxhiu konstatoi se në konferencë Thaçi ndodhej në siklet të madh.

“Në vend të dorëheqjes, Thaçi paska folur sot në konferencë para gazetarëve!Dukej në siklet të madh. Është e qartë, ai njëri përbën rrezik të madh për vendin!”, shkroi Haxhiu në facebook.

Ajo më tutje shkroi se Gjykata Kushtetuese dhe prokuroria do të duhej të merreshin me Thaçin.

“Akuzat e shpifjet e ulëta ndaj Lëvizjes dhe Albinit kanë për qëllim shpërqendrimin e vëmendjes nga skandalet e shkeljet e mëdha në të cilat është zhytur!Kushtetuesja dhe Prokuroria do të duhej të merreshin me të!”, shkroi Haxhiu

Xhelal Sveçla ia përmendi Thaçit emrin luftarak të kohës së luftës.

“Gjarpri bëri edhe një lëvizje. Prej mënyrës së organizimit e asaj çka tha në atë konferencë, po duket që po e din që mund të jetë e fundit”, shkroi Sveçla po në Facebook.

Ai konstatoi se fjalët për Kurtin Thaçi i tha në panik nga Gjykata Speciale.

“Të shkretin keq e paska kap paniku i prangave prej Gjykatës që bojke presion me votu, e vet mendoi me i ik duke u bërë me zor President”, shkroi Sveçla.

Presidenti Thaçi në një konferencë për gazetarë e lidhi sot Albin Kurtin me njerëz të Putinit dhe me financim nga Irani e Turqia, ndërsa tha se njerëzit rreth kryetarit të Vetëvendosjes e kanë krjuar edh “Syrin e Popullit”.

Duke iu përgjigjur këtyre akuzave Sveçla tha se pas Thaçin vendit do t’i vijnë ditë më të mira.

“E sa për ne, po e di çka kisha thonë për shtetin dhe institucionet e sigurisë që paskan ‘fakte’ që dikush merr fonde e mbështetje ilegale nga Irani e Turqia e nuk e arrestojnë. Pa ty e llojin tënd, ditë më të mira do t’i vijnë këtij vendi”, tha Sveçla.

Deputeti i VV-së tha se “thojnë që i mbyturi kapet për kashte. Ty nuk të ka mbetur as kashtë”.