Ilustrim: Atdhe Mulla

Deputetët e PDK-së dhe LDK-së ‘Përplasen’ për Martirët

Deputetët e PDK-së e LDK-së po polemizojnë rreth çështjes së nderimit të të rënëve në luftën e Kosovës të vitit 1999.

Deputetët nga PDK thonë se ata duhet nderuar e ligjvënësit sot do të duhej të ishin në Poklek, ndërsa ata të LDK-së thonë se dëshmorët do të nderoheshin nëse deputetët do të ishin në seancë në orën 10:00 e institucionet do të funksiononin si duhet.

Deputetja e PDK-së,  Ganimete Musliu, tha se sot do të duhej që kuvendi të mbyllte dyert në orën 10:00 dhe deputetët të shkonin në Poklek të Drenasit për të bërë nderime para të rënëve të 19 viteve më pa.

“54 anëtarë të familjes Pokleku të varrosur në një varr, e ne të akuzohemi pse kemi shku me ba nderime. Turp”, tha Musliu.

Ky reagim erdhi pasi deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, akuzoi deputeten e PDK-së, Sala Berisha që po i përdorin dëshmorët për përfitime politike.

Këtu ndërhyu shefi i GP të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili tha se nderimi më i madh dëshmorëve do t’u bëhej nëse ligjvënësit do të vinin në seancë me kohë e institucionet do të funksiononin.

“Por, nëse deputetët ishin ftu nga Kryesia për nderime, e do të kishte organizim të mirëfilltë, ne do të shkonim të gjithë atje, por nuk ka rend shpije këtu”, tha Hoti.

Më pas Hoti tha se është turp se si nisë seanca, edhe me vonesa edhe duke akuzuar një deputet [Anton Qunin] nga nënkryetari [Xhavit Haliti].

Më pas kryesuesi i seancës, Xhavit Haliti, tha se i ka duruar mjaftueshëm akuzat e tyre 15 vjet.

“Edhe unë kam pak gjak, boll ju kam duru, keni 15 vjet që më shani”, tha ai.

Në fillim të seancës deputetët Anton Quni e Xhavit Haliti u përplasën mes vete.

http://kallxo.com/video-polemika-e-xhavit-haliti-e-anton-qunit-per-tete-milione-markat-per-uck-ne/

Seanca e Kuvendit po vazhdon pas afërsisht dy orësh, ku deputetët shkuan në pauzë për shkak të problemeve teknike me mikrofona.