Deputetët e PDK-së dhe LDK-së Duan Qartësim për Demarkacionin

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka kërkuar që Komisioni Qeveritar për Demarkacionin të vijë në Komisionin për Integrime Evropiane, para se kjo marrëveshje të shkojë për ratifikim në Kuvend të Kosovës.

Haliti, anëtar i PDK-së në këtë Komision, tha se ka akoma paqartësi sa i përket demarkacionit.

“Meqenëse kemi të bëjmë me çështje të ndjeshme edhe për opinionin edhe për interesat në përgjithësi që po ballafaqohemi me qytetarët dhe me interesat e Kosovës, veçanërisht tani kur po pritet liberalizimi i vizave për Kosovën, kemi akoma paqartësi sa i përket demarkacionit”, tha Haliti.

Sipas tij, do të ishte mirë që  ta ftonin Komisionin Qeveritar, në Kuvend.

“Besoj që kjo duhet të fillojë nga Komisioni jonë dhe të kalojë në të gjitha komisionet e Parlamentit që janë të interesuara, sepse kemi rënë në një pozitë vërtetë jo të lakmueshme sa i përket raporteve me opinionin”, u shpreh Haliti.

Haliti tha se nuk janë kundër demarkacionit por duhet që t’i informojnë saktë qytetarët.

Sipas tij, fushata e bërë nga qytetarët por edhe nga segmentet e politikës së Kosovës kundër kësaj marrëveshjeje në formën që është bërë, është e madhe dhe është me ndikim në opinion.

“Nuk është mirë që qytetarët të lihen në një situatë amullie dhe të ju lëmë hapësirë grupeve ekstremiste të cilitdo krah që të manipulojnë me idenë qoftë të tradhtisë së dikujt në raport me interesat e Kosovës, qoftë të gabimeve ose kusuritjeve për interesa grupore ose personale të territoreve që kanë të bëjnë me Kosovën. Thirrja e Komisionit të udhëhequr nga Meha, dhe sqarimi në Komision dhe në komisionet e tjera do të ishte i mirë për procedurat që do të ndiqen pastaj për votimin e kësaj marrëveshjeje në Parlament”, theksoi Haliti.

http://kallxo.com/presidenti-e-aak-qendrime-te-ndryshme-per-demarkacionin/

Ndërkaq, Bislim Zogaj anëtar i komisionit nga PDK-ja, tha se nëse organizohet një takim i tillë duhet të jenë të ftohen edhe ekspert edhe deputet, të cilët kanë qenë më të zëshëm në kundërshtim të Demarkacionit.

“Pajtohem plotësisht me propozimin e Xhavitit, por do të ishte mirë që në këtë interpelancë nëse mund ta quajmë të marrin pjesë edhe pala tjetër e cila po e kundërshton atë që e ka ofruar Komisioni, që të ballafaqohen në mes veti në prezencën tonë. Përveç komisionit të jenë prezent edhe deputetë të tjerë por edhe ekspertët që e kanë kundërshtuar këtë marrëveshje që t’i ballafaqojnë argumentet në prezencën tonë”, kërkoi Zogaj.

Mendim të njëjtë kishte edhe anëtarja e LDK-së, Vjosa Osmani, e cila tha se duhet të jenë një listë njerëzish duke përfshijë dhe ekspertë të kësaj fushe, për të pasur një ballafaqim të drejtpërdrejtë.

“Unë po pajtohem që përveç Komisionit tonë dhe Komisionit shtetëror, ju si kryesues t’i bëni ftesë edhe një liste njerëzish që përfshinë deputetët që kanë qenë më aktiv në dhënien e mendimeve qoftë pro qoftë kundër rreth kësaj çështjeje, por edhe ata pesë a gjatë emra që në komunitetin e ekspertëve kanë qenë më aktiv në përgatitjen e publikimeve apo prezantimin e opinioneve për këtë çështje, që të kemi një ballafaqim të drejtpërdrejtë dhe jo vetëm nëpërmes medieve, që edhe ne si deputetë të kemi qasje në ato argumente”, tha ajo.

Osmani shtoi se nëse ky është nj kriter për liberalizim të vizave Komisionit i takon që të informohen më shumë dhe të shohim se pse ka ardhur deri tek kjo dhe cili do të duhej të ishte vendimi përfundimtarë i deputetëve individualisht.

Zëvendëskryetari i dytë i Komisionit, Slobodan Petroviq, tha se i mbetet administratës, ta caktojë dhe organizojë këtë mbledhje.

Anëtarët e këtij komisioni, gjithashtu kanë miratuar unanimisht Projektligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe luftimin e Financimit të Terrorizmit, me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.