Deputetët e ‘Listës Serbe’ në Takim me Shpend Ahmetin

Të interesuar për gjendjen e përgjithshme e veçanërisht të qytetarëve serbë në komunën e Prishtinës, një delegacion i deputeteve të “Listës Serbe” në Kuvendin e Kosovës u takuan sot me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Kjo vizitë ishte pjesë e vizitave që deputetët serbë po i organizojnë të gjitha komunat në Kosovë. Pjesë e këtij delegacioni ishin deputetët, Slavko Simic, Nenad Rasic, Milka Vuletic, Milena Milicevic dhe Bojan Mitic.

Ahmeti që është zgjedhur kryetar i Prishtinës si kandidat i Lëvizjes vetëvendosje është takuar me deputetë të ‘Listës Serbe’ pavarësisht qëndrimit kundërshtues që VV ka në Kuvend ndaj këtij grupimi të deputetëve.

Gjatë këtij takimi u diskutuan çështjet që kanë të bëjnë me komunitetin serb në disa lokacione në Prishtinë, gjithashtu edhe për projektet e impelementuara deri tani dhe ato të cilat priten që të implementohen gjatë vitit.

“Të dyja palët u pajtuan se integrimi socioekonomik i të gjitha komuniteteve mbetet synim kryesor.  Kryetari Ahmeti foli edhe për tregun e prodhimeve vendore si një projekt i rëndësishëm i integrimit ku përmes mundësisë për fermerët të të gjitha nacionaliteteve të shesin në tregjet e Prishtinës do të ndërtohet edhe një urë ekonomike në mes të komuniteteve”, thuhet ne komunikatën e dërguar nga komuna e Prishtinës.

Në takim u diskutua edhe çështja e objektit të Kishës Ortodokse Serbe në oborrin e  Universitetit ku deputetet u shprehen të shqetësuar për gjendjen ekzistuese, dhe statusin e ardhshëm të Kishës. Këtë temë kryetari Ahmeti e konsideroi si çështje politike të ndjeshme e cila duhet të procedohet me kujdes.

Sipas komunikatës në takim u diskutua për nevojën e definimit të statutit ligjor të këtij ndërtimi.

“Komuna e Prishtinës çdo ndërtim në Prishtinë e trajton sipas ligjeve në fuqi prandaj edhe ka bërë thirrje që të paraqitet i gjithë dokumentacioni ekzistues në Komunë për ta trajtuar më tutje.  Çështja e pronësisë së tokës, destinimit të saj dhe çështje të tjera të lirive fetare janë përgjegjësi të institucioneve të tjera relevante në Republikën e Kosovës”, thuhet nder të tjera ne komunikatë.

Kryetari Ahmeti i ftoi deputetët që edhe në të ardhmen të vizitojnë komunën e Prishtinës dhe të interesohen për të gjitha çështjet e ndërlidhura me komunën dhe jo vetëm ato të komunitetit Serb.  Kërkoi nga deputetët qe të angazhohen qe sa më parë të kalojë ligji për Kryeqytetin që tash e 8 vite nuk kalohet nga Kuvendi edhe pse Kushtetuta e kërkon një gjë të tillë.