Deputetët e Kuvendit të Kosovës nderojnë luftëtarët e UÇK-së - Foto: Youtube/screenshot

Deputetët e Listës Serbe Nderojnë Dëshmorët e UÇK-së

Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës nisi me një minutë heshtje të kërkuar nga deputeti i Nismës për Kosovën, Milaim Zeka, në nderim të ish-luftëtarit të UÇK-së, Haradin Bala, i cili ka ndërruar jetë dje.

Lidhur me këtë propozim ndërhyri kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili tha se edhe ashtu e kishte në plan të kërkonte një minutë heshtje në nderim të tre komandantëve të UÇK-së, Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut e Edmond Hoxhës, të cilët ranë në altarin e lirisë 21 vjet më parë.

Në këtë mënyrë, me një minutë heshtje u nderuan të katër luftëtarët e lirisë.

Ajo që ra në sy me këtë rast është se me një minutë heshtje luftëtarët e UÇK-së u nderuan edhe nga deputetët nga Lista Serbe.

Në seancë janë 68 deputetë.

Në këtë seancë të jashtëzakonshme po debatohet për ndotjen alarmante të ajrit. Seanca është iniciuar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli me mbështetjen e 40 deputetëve nënshkrues.

Dje, në mbledhjen e Kryesisë, Veseli tha se debati duhet të përfundojë me obligimin për të hartuar një strategji nacionale për  këtë çështje, e cila do të do të ofronte zgjidhje afatgjate dhe do të evitonte përsëritje të situatave të tilla.