Ndarja e kufijve sipas marrëveshjes së demarkacionit është ende e paqartë për publikun | Foto: përpunim mbi Google Maps

Deputetët e Ftojnë Haradinajn e Bulliqin në Dëgjim për Demarkacionin

Komisioni për Punë të Jashtme ka marrë vendim që me 26 dhjetor ta shqyrtojë Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Ky komision gjithashtu ka marrë vendim, që ta ftojë edhe kryeministrin Ramush Haradinaj dhe Komisionin Shtetëror, të udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi, që në këtë datë të marrin pjesë në komision, në mënyrë që të japin sqarime rreth pretendimeve se ka pasur falsifikime të hartave nga komisioni paraprak i udhëhequr nga Murat Meha.

Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Vjosa Osmani, tha se është mirë që qeveria t’i sqarojë pretendimet që “komisioni paraprak ka kryer vepra penale”.

Sipas saj, në raportin e fundit i Komisionit Shtetëror thotë që raporti paraprak përbën tri vepra penale.

“Është falsifikimi i hartave, fshehja e dokumenteve zyrtare, cenimi i tërësisë territoriale”, tha Osmani.

Për këtë sipas saj organet e hetuesisë e japin përgjigjen.

Osmani me tutje shtoi se qeveria nuk mund ta heqë barrën prej vetës dhe me pretendime të tilla kaq serioze ta gjuajë një material te deputetet.

“Nuk do të duhej  një qeveri që me aq lehtësi ta akuzojë dikë se ka kryer vepër penale dhe thjeshtë ta gjuajë një pretendim të tillë në Kuvend. Është e pa përgjegjshme  ta akuzosh një komision shtetëror që ka qenë paraprak për kryerje të veprës penale dhe mos të ndërmarrësh asgjë lidhur me sqarimin e një pretendimi të tillë por të kërkosh që për  pretendime të tilla të merret një vendim politik”, tha Osmani.

Sipas saj, Kuvendi merr vendim politik dhe vota e deputetëve është votë politike.

“Ne nuk jemi askushi për të hetuar hartat dhe për të determinuar a ka pasur vërtet falsifikim apo jo sepse mendoj që as nuk kemi në Kuvendin e Kosovës ekspert të tillë”, u shpreh ajo.

Gjatë diskutimit të anëtarëve për caktimin e datës, Visar Ymeri anëtar i komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se nuk është se e rëndësishme data kur do të mbahet mbledhja e komisionit por, me kënd do ta diskutojnë raportin e fundit të komisionit shtetëror duke rekomanduar që ta ftojnë kryeministrin.