Departamenti Amerikan i Shtetit

Departamenti i Shtetit: Kosova me korrupsion dhe mungesë të pavarësisë së gjyqësorit

Raporti i përvitshëm i Departamentit Amerikan të Shtetit tregon se në çfarë fusha ndodhën shkeljet e të drejtave të njeriut në Kosovë.

Sulmet ndaj gazetarëve, dhuna kundër personave të zhvendosur, korrupsioni endemik qeveritar, mungesa e pavarësisë së gjyqësorit, dështimi i proceseve dhe zbatimi selektiv i vendimeve, bashkë me dhunën ndaj pakicave dhe komunitetit LGBTI, janë shkeljet e të drejtave të njeriut në Kosovë që ka gjetur Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e tij.

Raporti për të drejtat e njeriut i DASH-it ua njeh institucioneve përpjkejet për të ndjekur penalisht dhe ndëshkuar zyrtarët që kryen shkelje, por në të njëjtën kohë konstaton se përfaqësues të opozitës, shoqërisë civile dhe mediave besojnë që zyrtarët e lartë ishin të përfshirë në korrupsion pa u ndëshkuar.

Raporti më tutje përshkruan rastet e krimeve të luftës të gjykuara nga EULEX-i dhe prokurorët vendas, ndërsa në të tregohet se ende në Kosovë janë të zhdukur nga lufta 1658 persona.

Në raport përshkruhet edhe përpjekja e një grupi deputetësh për shfuqizimin e Gjykatës Speciale më 22 dhjetor 2017.

“Disa deputetë thanë se kanë vepruar nën udhëzimet e udhëheqësve politikë. Nisma u përmbys nën trysninë e disa udhëheqësve opozitarë dhe komunitetit ndërkombëtar, por mbështetësit vazhduan përpjekjet për shfuqizim deri në fund të vitit”, thuhet në raport.

Raporti i Departamentit të Shtetit tregon edhe në lidhje me hetimet për vdekjen e aktivistit të Vetëvendosjes Astrit Dehari në nëntor 2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Raporti vë në pah kufizimet në lirinë e lëvizjes të shkaktuara nga situata e tensionuar në veriun e Kosovës si dhe vështirësitë në kthimin e personave të zhvendosur.