Gjykimi për dhunën ndaj vajzës dhe ish-bashkëshortes | Foto: KALLXO.com

I Dënuari për Kanosje të Gruas dhe Lëndim të Vajzës Kërkon Zbutjen e Dënimit

Ferid Gërxhaliu është shpallur fajtor dhe është dënuar me një vit burgim nga Gjykata Themelore në Mitrovicë për shkak të veprave penale kanosje dhe lëndim të lehtë trupor.

I pakënaqur me këtë aktgjykim për shkak të lartësisë së dënimit ankesë ka ushtruar mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Uvejs Gashi.

Sipas Gashit gjykata nuk ka marrë si rrethana lehtësuese pranimin e fajësisë nga i mbrojturi i tij, shkallën e dëmit të shkaktuar si dhe faktin se i mbrojturi i tij veprën e kishte kryer pa dashje.

” Gjykata nuk i ka marrë parasysh rrethanat lehtësuese si pranimi i fajësisë dhe shkalla e dëmit që është kryer duke pasur parasysh se është vetëm një gisht me frakturë edhe ai gisht është thyer pa dashje dhe pa vullnetin e tij, pasi që asnjë njeri në këtë jetë nuk i shkakton lëndime vajzës së tij”, tha avokati Gashi.

Avokati deklaroi se si një arsye shtesë për të prishur aktgjykimin e shkallës së parë është edhe gabimi gjatë llogaritjes së kohës së qëndruar në paraburgim ku tha se të mbrojturit të tij i është llogaritur një muaj më pak.

“Aktgjykimi përbën një shkelje esenciale të ligjit penal pasi që është llogaritur gabimisht koha e paraburgimit, pasi që llogaritet që nga data 29 tetor 2017 ndërsa i njëjti që nga data 29 shtator 2017 është në paraburgim, pra një muaj është llogaritur më pak koha e paraburgimit. Konsiderojmë se kjo është një arsye e mjaftueshme për të prishur aktgjykimin e shkallës së parë”, deklaroi avokati.

Tutje ai shtoi se klienti i tij nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe shërbimet spitalore në qendrën e paraburgimit nuk janë të nivelit të dëshirueshëm.

Sipas avokatit, zvogëlimi i dënimit në këtë rast është i domosdoshëm dhe i njëjti dënim do ta arrijë qëllimin, edhe pse sipas tij mbajtja prej katër muajve e gjysmë veç se e ka arritur qëllimin e dënimit.

Edhe vetë i akuzuari i premtoi gjykatës se nuk do t’i shqetësojë më gruan dhe vajzën.

” Ju premtoj se ajo me mua nuk ka me pas më në jetë kurrgjë hiq, ajo e ka rrugën e vet, e unë timen, unë nuk e kam ditur që ajo e ka prishur kurorëzimin. Ku të gjejnë më mirë le të shkojnë, sepse unë i kam mbajtur me tërë të mirat gjithë jetën, po me zor nuk mbahet as gruaja, e as fëmija”, tha i akuzuari.

Sipas aktakuzës, Ferid Gërxhaliu në shtator të vitit të kaluar seriozisht e ka kanosur ish-bashkëshorten e tij të dëmtuarën XH.D, duke shkuar para ndërtesës ku ajo banon me vajzën.

Në aktakuzë thuhet se në kohën kur ish-bashkëshortja shkonte në punë dhe vajza në shkollë, i ishte ofruar ish-bashkëshortes dhe në prani të vajzës së tyre te mitur e kishte sharë, tërheur prej krahëve dhe kërcënuar.

“’Ku po shkon ti k**** ma ke fëlliqur fytyrën e babës, ka me të mbytë, ti po i shtin policinë kundër meje, po shkon me komandantë’, me çka tek e dëmtuara ka shkaktuar frikë dhe ankth, ndërsa mezi kishte arritur të largohej prej tij kur kishte ndërhyrë vajza për t’i ndarë”, thuhet në aktakuzë.

Aktakuza sqaron se Gërxhaliu kishte lënduar vajzën e tij të mitur kur ajo kishte ndërrhyrë për t’i ndarë nënën dhe babanë.

“I akuzuari kur e kishte vërejtur këtë situatë me dorën e djathtë të tij e ka kapur dorën e djathtë të vajzës duke ja dredhur dhe duke i shtypë shuplakën e dorës e duke ja mbajtur me forcë nyjën e dorës, me ç’rast vajzës së tij të mitur i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore, thyerje e falangut proksimal të gishtit të mesëm , të dorës së djathtë me pasoja të përkohshme për shëndetin”, thuhet në aktakuzë.