Dënohet Reagimi i OKB-së për Romët e Helmuar nga Plumbi

Qendra Europiane për të Drejtat e Romëve, ERRC, dhe OJQ të tjera rome të enjten dënuan mungesën e angazhimit të OKB-së për të ofruar kujdes mjekësor dhe njohje të helmimit me plumb të viktimave, për gjendjen e të cilëve fajësohet Misioni i OKB-së në Kosovë, UNMIK.

Organizatat bënë thirrje që OKB-ja të zbatojnë rekomandimet e caktuara nga Paneli i saj Këshillues për të Drejtat e Njeriut.

Në to përfshihet një ndjesë e plotë, kompensim për 138 individët e paraqitur para panelit dhe sigurimin e menjëhershëm të trajtimit mjekësor për personat e prekur nga helmimi nga plumbi.

Vitin e kaluar, një panel këshillimor i OKB-së i krijuar për të shqyrtuar ankesat e bëra kundër Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), i bëri thirrje OKB-së ta mbajë UNMIK përgjegjës për lejimin e familjeve rome të ekspozoheshin ndaj helmimit nga plumbi në kampet për njerëzit e zhvendosur nga lufta në Kosovë në vitin 1998 dhe 1999.

Kampet u ngritën pranë kompleksit të minierave dhe atij të shkrirjes të Trepçës, të njohura si shkaku i kontaminimit me plumb dhe forma të tjera toksinash në zonat e saj përreth që prej viteve 1970.

Kampet, të cilat duhet të siguronin vetëm strehim të përkohshëm për deri në 90 ditë, qenë në funksion për disa vjet.

Në vend të kësaj Kombet e Bashkuara kanë nisur një Fond Mirëbesimi që do të lehtësojë nismat bazë të komunitetit për të financuar “projekte ndihmë”.

Këto priten kryesisht të ndodhin në Mitrovicën e Veriut, Mitrovicën e Jugut dhe Leposaviq, por sipas Kombeve të Bashkuara, do të jenë më shumë në dobi të komuniteteve rome, ashkali dhe egjiptiane.

“Ndërkohë që ne e mirëpresim reagimin e OKB-së ndaj presionit të shoqërisë civile dhe mijëra njerëzve që kërkuan drejtësi, ky Fond Mirëbesimi nuk kompenson padrejtësitë e bëra, as nuk bën shumë për të lehtësuar problemet e menjëhershme të njerëzve që vuajtën në kampet e personave të zhvendosur brenda vendit në Mitrovicë, Leposaviq,” thuhet në një deklaratë të nënshkruar nga ERRC dhe organizata të tjera.

Organizatat thonë se mungesa e njohjes me anë të një ndjese publike është një fyerje për njerëzit që kanë vuajtur prej helmimit me plumb nëpër kampe.

Më 15 maj, ERRC paraqiti mbi 10,000 firma në një peticion drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, duke kërkuar një ndjesë të plotë dhe kompensim për abuzimet e kryera nga UNMIK.