Gjykimi për falsifikim parash | Foto: KALLXO.com

Dënohet personi që futi në qarkullim monedhën e falsifikuar

Taulant Kryeziu është dënuar nga Gjykata në Gjakovë për falsifikim të parasë.

Sipas aktgjykimit të gjyqtarit Shaqir Zika, i akuzuari u shpall fajtor dhe u dënua me gjashtë muaj burg me kusht, gjithashtu atij iu konfiskua edhe monedha e falsifikuar.

Para se të dënohej, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ali Uka, i akuzuari Taulant Kryeziu pranoi fajësinë.

Prokurori Uka i propozoi gjykatës që ta marrë si rrethanë lehtësuese pranimin e fajësisë nga i akuzuari.

“Ky pranim nga ana e tij ështe në të mirën e tij, andaj i propozoj gjykatës që ta marrë për bazë këtë pranim si dhe ndaj të njëjtit të shqiptohet dënimi sipas ligjit”, tha prokurori Uka.

Gjyqtari Shaqir Zika me aktvendim miratoi pranimin e fajësisë nga i akuzuari, pastaj shpalli atë fajtor dhe i shqiptoi dënimin.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Taulant Kryeziu me datën 4 janar 2018 duke qenë në dijeni se paraja është e falsifikuar në fshatin Ratkoc, komuna Rahovec, në tregun e pemëve dhe perimeve vuri në qarkullim monedhën prej 10 eurove.

Ai këtë monedhë ia dha të miturit D.H, ndërsa i mituri ia dha pastaj monedhën e njëjtë hallës së tij 10 vjeçare.

Ajo me këtë monedhë, sipas aktakuzës tentoi të blejë pemë në shumën prej 2 eurove nga shitësi, këtu i dëmtuari Arbër Hoti.

Aktakuza sqaron se gjatë kontrollit të policisë është gjetur monedha me numër të njëjtë serik.