Gjykimi për të shtënat në dasmë | Foto: KALLXO.com

Dënohet me Kusht Personi që Gjuajti me Revole në Dasmë

Gjykata në Prishtinë e ka dënuar me burgim me kusht prej një viti Rexhep Shamollin, të akuzuarin për mbajtje në pronësi, posedim, ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve.

Shamolli nuk duhet të kryejë vepër tjetër penale nëse nuk dëshiron që dënimin prej një viti ta kryejë prapa grilave.

Para se të dënohet, gjyqtari Naser Foniqi e pyeti të akuzuarin Shamolli se a ndihet fajtor për veprën për të cilën akuzohet.

Shamolli që akuzohet për të shtënat në një dasmë pranoi fajësinë.

Avokatja e tij Merita Bajraktari kërkoi që pranimi i fajësisë dhe pendimi të merren si rrethana lehtësuese për të akuzuarin.

“Vetë fakti që i akuzuari ndihet i penduar për këtë veprim që ka ndodhur dhe ka potencuar ajo çka ka ndodhur ka ndodhur vetëm në shenjë gëzimi dhe shprehje gëzimi në ditën e dasmës ku edhe ka shtënë me revolen në fjalë, andaj edhe siç thashë bazuar në këto rrethana dhe fakte konsideroj që gjykata t’i ketë për  bazë me rastin e marrjes së vendimit lidhur me dënimin”, tha gjyqtari Foniqi.

I akuzuari Shamolli gjithashtu e njoftoi gjykatën se është dënuar edhe për vrasje në një proces tjetër gjyqësor me 15 vjet e 6 muaj burg.

Prokurorja Shemsie Osmani ndërkaq kërkoi që i akuzuari të dënohet, por gjykata të marrë parasysh rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

“Mbes pranë aktakuzës së ngritur të gjetjes së fakteve dhe provave se i akuzuari kishte kryer veprën penale, duke rënë  në ndesh me ligjin dhe propozoj që gjykata të ketë parasysh pranimin e fajësisë të cilin vendim i akuzuari e mori me vullnetin e tij të plotë,  t’i marrë parasysh rrethanat lehtësuese dhe rënduese dhe te akuzuarin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit”, tha prokurorja.

Sipas aktakuzës, Rexhep Shamoli më 22.08.2012 rreth orës 23:00 në oborrin e shtëpisë së Brahim Trumcakut në mënyrë të paautorizuar ka përdorur armën – revolen  e tij të tipit “Bruno MOD 92” te kalibrit 8mm të cilën e mbante në posedim pa leje valide të organit kompetent, në mënyrë që në dasmë ka shtënë disa herë në ajër në shenjë dëfrimi.

Të akuzuarit i është konfiskuar arma, ndërsa është liruar nga pagesa e shpenzimeve procedurale me arsyetimin se e ka të dobët gjendjen ekonomike.