Shkolla "Mustafa Bakiu", Prizren. Foto: Shkolla/Web

Dënohet drejtoresha e 'Mustafa Bakiu' nga Gjykata e Prizrenit

Gjykata Themelore e Prizrenit ka dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht Behare kryeziun, drejtoreshë e ShFMU “Mustafa Bakiu” në Prizren.  Kryeziu akuzohej për veprës  penale falsifikim i dokumentit.

“Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti  për Krime të Rënda ka bërë shpalljen e aktgjykimit  ndaj të akuzuarës  me iniciale B.K. nga Prizreni, për shkak të veprës  penale falsifikim i dokumentit nga neni 434 parag.1. i KPRK-së dhe i  shqiptoi gjykimin me kusht duke ia vërtetuar dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajve i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse e akuzuara brenda periudhës së verifikimit pre 1 (një) viti nuk kryen ndonjë vepër të re penale”, thuhet në njoftimin e lëshuar për media nga Gjykata e Prizrenit.

Më tej në njoftim bëhet e ditur se: “B.K. në cilësinë e personit zyrtarë, me nënshkrimin e saj dhe me vulën zyrtare vërteton dokumentin zyrtar i cili përmban të dhëna të rreme, në atë mënyrë që me datën 23.11.2016 si drejtoresh e SHFMU “Mustafa Bakiu” në Prizren, lëshon vërtetimin me numër të protokollit 127/2016 se S.A. në këtë shkollë ka bërë zëvendësimin e edukatores gjatë pushimit të lindjes në kohë prej 6 muaj, i cili vërtetim të njëjtës do ti shërbente për punësim, ku në rubrikën me numër përkatës të protokollit është evidentuar emri i nxënëses me iniciale I.Ç.”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

KALLXO.com kishte raportuar lidhur me këtë rast.