Dënohet me Burg Grabitësi i Çantës

Me tre vjet e gjashtë muaj burgim dhe 1.000 euro gjobë është dënuar Milaim Canolli nga Gjykata e Prishtinës.

Canolli akuzohej për grabitjen e çantës nga krahu i viktimës femër.

Ngjarja për të cilën është dënuar Milaim Canolli ka ndodhur më 27 janar të këtij viti në Prishtinë, derisa viktima ishte duke u kthyer në shtëpi.

Dënimin e Canollit e ka bërë publike Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda.

Aktakuza e ngarkonte Milaim Canollin se më 27 janar të këtij viti në orën 16:12 në Prishtinë në rrugën “Azem Bejta”, me qëllim që vetes t’i sjellë përfitim pasuror në mënyrë të kundërligjshme duke përdorur dhunën dhe kanosjen, e duke sulmuar jetën apo trupin e të dëmtuarës nën kërcënimin e thikës me njërën dorë, ndërsa me tjetrën duke mbajtur viktimën, i ka grabitur të dëmtuarës çantën nga krahu i djathtë.

Në çantë, gjendeshin portofoli me 145 euro dhe një telefon celular i tipit iPhone 7.

Më tej, në momentin kur viktima ishte kthyer kah ai dhe ia kishte zbuluar fytyrën, tani më i dënuari Canolli ishte bërë agresiv dhe për këtë disa herë e kishte goditur viktimën gjersa e njëjta kishte rënë në tokë ku e kishte lënduar gjurin.

Ai kishte arritur të largohej prej aty dhe gjësendet ia kishte marrë, kurse çantën ia kishte hedhur në tokë dhe më pastaj është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të paditur.

Më vonë, Canolli ishte arrestuar nga Policia dhe ishte identifikuar nga viktima përmes procedurës standarde të verifikimit në mesin e personave të tjerë.