Gjykimi për të shtënat | Foto: KALLXO.com

Dënohet i Akuzuari për Dëmtimin e Veturës dhe Dyerve të Autolarjes

Petrit Bahtiri u dënua nga Gjykata Themelore në Prishtinë për veprën penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Bahtiri u dënua me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajve, dënim ky i cili me pëlqimin e tij do të shndërrohet në dënim me gjobë në vlerë prej 2000 eurove.

Menjëherë pas shpalljes së aktgjykimit, i akuzuari bëri të ditur se dëshiron që dënimi me burg t’i konvertohet në atë me gjobë.

Bahtiri akuzohej edhe për veprën penale të përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm, por u lirua ngase nga provat nuk është vërtetuar se i njëjti ka kryer këtë vepër.

Dënimi të akuzuarit iu shqiptua për shkaktim të dëmeve gjatë gjuajtjes me armë në një makinë dhe dyert e një autolarjeje.

Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, tregoi se Bahtirit do t’i konfiskohet edhe pushka automatike AK- 47.

Sipas aktakuzës, më 4 qershor të vitit 2014 në qytetin e Podujevës rreth orës 12:00 Petrit Bahtiri ka përdorur armën në mënyrë kërcënuese derisa të dëmtuarit Betim Gashi dhe Mit’hat Mustafa ishin duke pritur taksinë për të shkuar në Prishtinë.

Pas një keqkuptimi kishte filluar fjalosja në mes të akuzuarit Bahtiri dhe të dëmtuarit Mustafa, ndërsa prokuroria pretendon se Petrit Bahtiri e kishte goditur me shqelm në fytyrë të dëmtuarin Mit’hat  Mustafa, e po ashtu e kishte shtyrë edhe të dëmtuarin Betim Gashi.

Sipas prokurorisë, disa qytetarë kishin provuar t’i ndajnë mirëpo Petrit Bahtiri ishte larguar me veturën e tij të tipit “Golf 2” për t’u kthyer me revole në dorë, me të cilën u ishte drejtuar dy të dëmtuarve, të cilët në ato momente ishin frikësuar se do të ndodhë më e keqja.

Gjithnjë sipas aktakuzës, ngjarja ka përfunduar atëherë kur njëri nga personat që kishte qenë i pranishëm dhe kishte marrë pjesë në ndarjen e tyre, me të parë revolen të dëmtuarve u kishte thënë “ikni”, ndërsa të dëmtuarit me të parë situatën në të cilën gjendeshin, kishin ikur me vrap nga vendi i ngjarjes.

Në aktakuzë thuhej se më vonë, në po të njëjtën ditë Petrit Bahtiri ka shkuar në fshatin Peran te shtëpia e të dëmtuarit Mit’hat Mustafa e më pas nga dritarja e veturës kishte nxjerrë pushkën automatike të tipit AK- 47 me të cilën kishte shtënë 4-5 herë.

Nga këto të shtëna, sipas aktakuzës, ishin shkaktuar dëme në veturën e tipit “Peugeot 206” pronë e të dëmtuarit Sejdi Mustafa, e po ashtu nga breshëria e plumbave ishin dëmtuar edhe dyert e autolarjes pronë e të dëmtuarit Ruzhdi Mustafa.