Gjykata Themelore në Prishtinë - Foto: KALLXO.com

Dënohen Zyrtarët që Mundësuan Daljen në Treg të Barnave të Kinës

Tre zyrtarët e Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale Bersan Kolgeci, Ilir Dushi e Haki Ejupi u dënuan sot nga Gjykata Themelore në Prishtinë për shpërdorim detyre.

Gjykata Kolgecin e Dushin i dënoi me nga gjashtë muaj burgim, ndërsa Ejupit i shqiptoi dënimin prej 5 muajsh burg.

Trupi gjykues e dënoi me gjobë prej 10 mijë eurosh Edon Hajrullagën, pronarin e kompanisë “Prima Pharm” që akuzohej për prodhim të ndaluar.

Zyrtarët Kolgeci, Dushi e Ejupi kanë mundësi që dënimin me burg ta kthejnë në dënim me gjobë, duke paguar 20 euro për secilën ditë për të cilën e dënuan.

Edhe Edon Hajrullaga nëse nuk ka mundësi ta paguajë gjobën, atë mund ta kthejë në dënim me burg. Një ditë burgu edhe atij do t’i llogaritet 20 euro.

Bersan Kolgeci, Ilir Dushi dhe Haki Ejupi nga Prokuroria akuzohen që si persona zyrtarë në AKPPM, lëshuan 435.124 banderola të barnave për kompaninë “Prima Pharm”, drejtor i së cilës është i akuzuari tjetër Edon Hajrullaga.

Kolgeci, Dushi e Ejupi akuzohen për shpërdorim detyre, ndërsa Edon Hajrullaga për prodhim të ndaluar.

Sipas Prokurorisë, Bersan Kolgeci, që ishte drejtor i Departamentit Ligjor në Agjencinë e Produkteve Medicinale i kishte rekomanduar drejtorit të Administratës së kësaj Agjencie që t’i lëshonte banderola për 18 produkte medicinale kompanisë “Prima Pharm”, duke i mundësuar asaj që t’i nxjerrë në treg barnat e importuara nga Kina më 23 mars 2013.

Prokuroria pretendon se Kolgeci nuk është dashur ta lëshonte një rekomandim të tillë për arsyen se sipas saj kompania “Prima Pharm” nuk ka qenë e certifikuar me PMP- Praktikën e Mirë Prodhuese.

KALLXO.com ka shkruar vazhdimisht për këtë proces gjyqësor.