Dënimi i zyrtarëve për banderolat | Foto: KALLXO.com

Dënohen Zyrtarët për Banderolat e Ilaçeve

Dy zyrtarë të Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale Bersan Kolgeci e Ilir Dushi janë dënuar sot nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Gjykata Kolgecin e Dushin i dënoi me nga 6 muaj burgim, ndërsa liroi zyrtarin tjetër të kësaj agjencie Haki Ejupin.

Edon Hajrullaga, pronari i Kompanisë “Prima Pfarm” u dënua me gjobë prej 10 mijë eurove.

Gjykata ua mundësoi zyrtarëve Kolgeci e Dushi që dënimin me burgim të mund ta kthejnë në dënim me gjobë, duke paguar nga 20 euro për çëdo ditë të dënimit.

Bersan Kolgeci, Ilir Dushi dhe Haki Ejupi nga Prokuroria akuzohen që si persona zyrtarë në AKPPM, lëshuan 435.124 banderola të barnave për kompaninë “Prima Pharm”, drejtor i së cilës është i akuzuari tjetër Edon Hajrullaga.

Kolgeci, Dushi e Ejupi akuzohen për shpërdorim detyre, ndërsa Edon Hajrullaga për prodhim të ndaluar.

Sipas Prokurorisë, Bersan Kolgeci, që ishte drejtor i Departamentit Ligjor në Agjencinë e Produkteve Medicinale i kishte rekomanduar drejtorit të Administratës së kësaj Agjencie që t’i lëshonte banderola për 18 produkte medicinale kompanisë “Prima Pharm”, duke i mundësuar asaj që t’i nxjerrë në treg barnat e importuara nga Kina më 23 mars 2013.

Prokuroria pretendon se Kolgeci nuk është dashur ta lëshonte një rekomandim të tillë për arsyen se sipas saj kompania “Prima Pharm” nuk ka qenë e certifikuar me PMP- Praktikën e Mirë Prodhuese.

Në qershor të vitit të kaluar Kolgeci e Dushi ishin dënuar me nga gjashtë muaj burg, ndërsa Haki Ejupi me pesë muaj.

Edhe atëherë Edon Hajrullaga ishte dënuar me gjobën prej 10 mijë eurove, por më pas Gjykata e Apelit rastin e kishte kthyer në rigjykim.

http://kallxo.com/denohen-zyrtaret-qe-mundesuan-daljen-ne-treg-te-barnave-te-kines/