Nga zgjedhjet e mëhershme | Foto: KALLXO.com

Dënohen PDK e Nisma nga Ankesa e BIRN dhe Internews Kosova

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dënoi partitë politike PDK e Nisma, pas ankesës së BIRN dhe Internews Kosova që lidhej me vendosjen e posterëve të kandidatëve për kryetar të Drenasit brenda perimetrit prej 100 metrash nga qendra e votimit.

Një vendosje e tillë e çfarëdo materiali propagandues për zgjedhjet më afër se perimetri prej 100 metrash nga qendra e votimit ndalohet me nenin 36 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë.

PZAP-i pas miratimit të ankesës së BIRN dhe Internews Kosova dënoi PDK-në e Nismën me nga 3000 euro për këtë shkelje.

Këto dy subjekte politike dënimet e shqiptuara duhet t’i paguajnë në afatin prej 15 ditësh nga dita e pranimit të vendimit nën kërcënimin e ekzekutimit me dhunë.

Vendosjen e posterëve brenda perimetrit prej 100 metrash BIRN dhe Internews Kosova e zbuluan më 18 dhjetor gjatë balotazhit për kryetar të Drenasit në Shkollën “Xheladin Gashi-‘Plaku’” në Komoran të Drenasit ku ndodhej qendra e votimit 0302e.

http://kallxo.com/posteret-e-lladrovcit-e-xhemajlajt-afer-qendres-se-votimit/

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e Arsyetoi vendimin e tij për dënimin e PDK-së e Nismës me renditjen e shkeljeve që këto dy subjekte i bënë kur vendosën posterët afër shkollës në Komoran.

“Me rastin e përcaktimit të lartësisë së gjobës të vendosur si në dispozitiv të këtij vendimi PZAP-i, ka marrë parasysh këto rrethana, natyrën e shkeljes dhe ndikimit të mundshëm të saj në proces zgjedhor, shkallën dhe peshën e shkeljes, subjektet politike kanë marrë pjesë në zgjedhje të mëparshme dhe konsiderohet se kanë qenë të njoftuar me obligimet dhe përgjegjësitë gjatë procesit të fushatës,” thuhet në arsyetimin e PZAP-it.

BIRN dhe Internews Kosova për ditën e balotazhit të Drenasit parashtroi në PZAP tri ankesa, të cilat u miratuan.

Në raundin e parë të zgjedhjeve për kryetar të kësaj komune, vetëm BIRN dhe Internews Kosova dorëzuan në PZAP pesë ankesa, njëra nga të cilat u pranua.

http://kallxo.com/pese-ankesa-ne-pzap-per-balotazhin-ne-drenas/

http://kallxo.com/pzap-aprovon-ankesen-e-birn-internews-kosova-per-zgjedhjet-ne-drenas/

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Drenas u zhvilluan pasi kryetarit të kësaj komune Nexhat Demaku iu vërtetua nga Gjykata e Apelit dënimi për krime lufte, ndërsa ai pas këtij vërtetimi dha dorëheqje.