Dënimi për Biznesin e Fajdeve në Fushë Kosovë

Burri nga Fushë Kosova sipas prokurorisë kishte nisur biznesin e tij në vitin 2009, fillimisht duke organizuar ilegalisht lojëra të fatit e më pas edhe duke u dhënë para me fajde viktimave.

Limani së fundmi është dënuar me 5 vite e gjashtë muaj burgim nënë akuzën për fajde dhe veprimtari të kundërligjshme me lojërat e fatit.

Në gjyqin e gjatë ndaj tij gjykata kishte dëgjuar shumë rrëfime, përfshirë dëshmitarë që më herët kishin pretenduar se ishin viktima  të fajdeve, por ata në seancë nuk kanë kërkuar dëmshpërblim për dëmin e që iu është bërë atyre.

Disa e kishin pranuar se kishin kontrata me Limanin, por pa e precizuar që paratë ishin me fajde ndërsa të tjerët ndërruan pjesë nga deklaratat e tyre.

Gjatë  dëshmisë së tij njëri nga dëshmitarët kishte tentuar të ndërronte deklaratën por kur ishte paralajmëruar për deklaratat e mëhershme Arben Xhibegjiu kishte rrëfyer tërë historinë.

Në detajet më interesante Xhibegjiu kishte përmendur se kishte marrë 10 mijë euro borxh nga Limani për t’i kthyer më pas 40 mijë.

Sipas dëshmisë së tij kur pagesa mujore prej 250 euro në muaj nuk i ishte kryer me kohë Limanit, Xhibegjiu është dashur që për çdo muaj t’ia paguajë nga 50 euro deri sa ka arritur shuma deri në 250 euro.

Dëshmitarë të tjerë rrëfyen në gjykatë se disa herë ishin detyruar që të merrnin para borxh nga Arsim. Të njëjtit nuk e kishin ndierë veten të dëmtuar.“Unë ndihna por unë du çdo send me u marr vesh, me u barazu me Arsimin. Nuk du se tani po lindin probleme. Po du me u marrë vesh vet me Arsimin, sikur gjithë”, kishte deklaruar dëshmitari Bekim Peqani gjatë dhënies së dëshmisë së tij.

I ulur në karrigen e të akuzuarit e teksa po dëgjonte pretendimet e dëshmitarëve Arsim Limani kishte mohuar fajësinë duke pretenduar se ata i kishin borxhe por jo nga veprimtaria e fajdeve. Nënë peshën e këtyre deklaratave dhe dëshmive të tjera të prokurorisë gjykata e Prishtinës vendosi të enjten dënim me burgim për 5 vite e gjashtë muaj për Limanit një dënim me gjobë prej 10 mijë eurosh si dhe konfiskimin e makinave dhe parave të gatshme të cilat ishin gjetur tek i akuzuari. Limani ka të drejtën e ankesës ndaj vendimit në gjykatën e Apelit

http://kallxo.com/prokuroria-kerkon-denim-per-fajde/