Altin Z. në zyrë e Shërbimit të Provës në Berat | Foto nga : Eriola Azizolli

Dënimi Alternativ u Jep një Shans të Dytë të Dënuarve për Krime të Lehta

Altin Z., u arrestua pasi makina që ai drejtonte doli nga rruga diku mes Uznovës dhe Kombinatit të Tekstileve në Berat. 33-vjeçari e drejtonte mjetin në gjendje të dehur. Pasi i kishte shpëtuar aksidentit me vetëm disa gërvishtje, policia e mbajti atë në qeli për 72 orë. Pas ndalimit ai u gjykua në gjendje të lirë dhe u dënua me 120 orë punë në komunitet nga Gjykata e Shkallës së Parë në Berat me vendimin nr. 298 në Korrik të vitit 2017.

NDËRLIDHUR

33-vjeçari me origjinë nga Fieri që jeton me qira në Berat, veç orëve të punës në shërbim të komunitetit të urdhëruara nga gjykata, i duhej që për disa  muaj të bënte edhe një punë të dytë krahu për të jetuar. Megjithatë, ai shprehet se ndjehet me fat për vendimin që gjyqtari mori për çështjen penale në ngarkim të tij.

“Kisha dëgjuar më herët për dënimet që jepeshin me punë fizike në këmbim të burgut, por më sqaruan më mirë gjatë kohës kur çështja mbërriti në gjykatë dhe nuk u mendova dy herë, pasi isha gati të bëja çdo lloj pune vetëm që mos të shkoja në burg,” tha Altini.

Djalë i një prifti të kishës ortodokse, i cili nuk kishte rekorde kriminale dhe shërbente si vullnetar në një kishë të Beratit, Altini shprehet se i trembej “gjykimit të familjes” dhe do bënte gjithçka për të shmangur qelinë.

Për specialisten e Zyrës së Shërbimit të Provës, Esmeralda Zylali, rasti i Altinit- një prej 72 të dënuarve me kusht të cilët ajo ka ndjekur gjatë këtij viti, është shembulli më i qartë i asaj që ofron shërbimi i provës për uljen e rrezikut të përsëritjes së veprave penale.

Specialiste që prej vitit 2014 në këtë institucion, Zylali tregon se puna që kryhet nga të dënuarit në interes të komunitetit synon rehabilitimin shoqëror të tyre, uljen e rrezikut të përsëritjes së veprave penale dhe rritjen e sigurisë shoqërore- çfarë bën që të jenë të pakët rastet e përsëritjes së veprave penale.

“Rasti i Altinit tregon se shërbimi i provës krijon rehabilitim të individëve, ul ndjeshëm probabilitetin që ata ta përsërisin atë vepër penale për të cilën kanë kaluar në shërbimin prove, ndërkohë që nga ana tjetër shmang burgun dhe kjo është mjaft e rëndësishme sidomos për të rinjtë,” tha Zylalli për BIRN.

Për të ilustruar suksesin e shërbimit të provës, Zylali nënvizon se asnjë prej të dënuarve që ajo ka ndjekur nuk i rezulton të ketë përsëritur veprën penale.

“Unë nuk kam pasur asnjë rast të përsëritjes së veprave penale dhe kjo tregon se Shërbimi i Provës – me dënimin alternativ për rastet që gjykata është shprehur dhe për mbikëqyrjen elektronike për rastet që çështja është në gjykim e sipër, ka mbajtur larg burgut njerëz që sot e shohin këtë zyrë me mirënjohje, pasi nuk kanë përfunduar në qeli,” tha ajo.

Dashnor Duro, një ish drejtues policie  që është shef i shërbimit të provës në Berat deklaron gjithashtu se dënimi alternativ ka funksionuar.  Ai shprehet se vetëm 3 prej rreth 1900 personave që janë dënuar me dënim alternativ në Berat prej vitit 2012 janë rikthyer në qeli.

“Vetëm tre raste të përsëritura të veprave penale kemi në listën e gjatë të çështjeve që janë ndjekur nga kjo zyrë dhe kjo tregon se sa i rëndësishëm është rehabilitimi, shmangia e burgut që ul kostot financiare për shtetin dhe ato psikologjike për vetë individët,” tha Duro.

Ai shpjegon se numri i personave me dënim alternativ është rritur dhe po ashtu edhe veprat penale për të cilat aplikohet ky dënim janë shtuar. Në listë përfshihen vepra penale si “shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “dhuna në familje”, “mbajtja dhe shpërndarja e lëndëve narkotike” dhe ‘ndërtimi pa lejen e organeve përkatëse”, si rastet më të shpeshta kur aplikohet dënimi alternativ.

Në rritje është edhe numri i të miturve të dënuar. Deri në tetor të 2017 në Berat ishin regjistruar 13 të mitur të dënuar me shërbim alternativ. Sipas Duros, pjesa më e madhe e tyre janë të dënuar për posedim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike.

Në të gjithë vendin vitin që shkoi u dhanë  5577 dënime alternative, prej të cilavë 938 u dënuan me punë në shërbim të komunitetit.

Në dhjetor, 33-vjeçari Altin Z.  plotëson orët e tij të punës në komunitet në ndërmarrjen e gjelbërimit të qytetit të Beratit.

“Çdo ditë unë kryej gjashtë orë të plota pune që nga mbjellja e pemëve, hapja e gropave, sistemimi i hapësirave të gjelbra mes lagjeve, pallateve, lyerja e trungjeve të pemëve dhe gjithçka tjetër që përgjegjësja e ndërmarrjes më ngarkon”, shpjegoi Altini.

“Ndonëse bëj gjashtë orë pune gjatë ditës, pasdite duhet të punoj sërish për të paguar qiranë dhe për të jetuar. Punoj në ndërtim si punëtor dhe çdo punë tjetër që mund të më dalë dhe pse jo çdo ditë gjejë punë pasdite,” shtoi ai.

Altinit i ka mbetur vetëm një peng. Që prej korrikut kur ka nisur dënimin alternativ është detyruar të mos kryejë më  punën vullnetare që bënte si kujdestar i një kishe në fshatin Vodicë.

“Mua më ka pëlqyer shumë qyteti i Beratit dhe për këtë pas përfundimit të ushtrisë në vitin 2004 vendosa të jetoj këtu me qira, ku krahas punëve të ndryshme që kam bërë për të jetuar jam kujdesur në mënyrë vullnetare dhe për kishën e Vodicës, pasi vij nga një familje besimtare dhe babai im është prift në Fier,” shpjegoi ai, pa e fshehur për asnjë çast ndjenjën e fajit që e bën të skuqet në fytyrë.

14 Dhjetor 2017 - 19:38

Erjola Azizolli, BIRN 14/12/2017 - 19:38
NDËRVEPRIMI0

Dënimi Alternativ u Jep një Shans të Dytë të Dënuarve për Krime të Lehta

by Kallxo
NA NDIQNI

Send this to a friend