Dënim për Vrasjen e Vitit 1993

Sipas gazetarit të KALLXO.com Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi Enver Islamin me 15 vjet burg për vrasjen e Xhemshit Ajvazit më 28 prill 1993 në Podujevë.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore të Prishtinës e ngarkonte Islamin se 23 vjet më parë, saktësisht më 28 prill 1993, rreth orës 19:30 në Rrugën “Skënderbeu” të Podujevës nga hakmarrja e paskrupullt Enver Islami e privoi nga jeta të ndjerin Xhemshit Ajvazi.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Islami kishte shtënë së pakur katër herë nga një armë e paidentifikuar, ndërsa njëri nga plumbat e ka qëlluar tani të ndjerin Xhemshit Ajvazin, i cili kishte ndërruar jetë më pas në QKUK në Prishtinë.

Pas përfundimit të seancës, Xhelil Ajvazi, vëllai i të ndjerit, përshëndeti punën e prokurorit në këtë rast ndërsa nuk deshi të deklarohej për lartësinë e dënimit.

“Të them të vërtetën unë së pari e përshëndes Prokurorinë e Shtetit që e kanë ngritur aktakuzën por ne ende nuk jemi konsultuar me Prokurorinë e Shtetit se a ka hapësirë për ankesë. Trupi gjykues e mori vendimin për 15 vjet dhe ende nuk e di se a ka pasë telashe me klasifikimin e aktakuzës, kështu që nuk mund të deklarohem më shumë pa u konsultuar me prokurorin e shtetit,” tha Ajvazi.

KALLXO.com kontaktoi edhe me të afërmit e të akuzuarit të pranishëm në gjykatë, por ata nuk deshën të deklaroheshin.

Të hënën në këtë proces gjyqësor u dha fjala përfundimtare në të cilën prokurori kërkoi dënimin e të akuzuarit, duke treguar se ai është lajmëruar vullnetarisht për vrasjen që kishte ndodhur, pas kthimit nga Spanja ku kishte qëndruar.

Atë ditë Enver Islami shprehu pendim dhe kërkoi falje për vrasjen, ndërsa avokati i tij Tahir Rrecaj kërkoi nga gjykata që t’i marrë si rrethana lehtësuese për të mbrojturin e tij pranimin e fajësisë dhe pendimin e Islamit.

http://kallxo.com/kerkon-falje-per-vrasjen-e-para-23-viteve/