Gjykimi për mashtrim në votime | Foto: KALLXO.com

Dënim për Mashtrim në Votime në Zgjedhjet e 2010-ës

Katër persona janë dënuar për mashtrim në votime në një vendvotim të zgjedhjeve të vitit 2010.

8 vjet pasi ishin angazhuar në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2010, katër persona janë dënuar me kusht për veprimet e tyre në këto zgjedhje pasi akuzoheshin se kanë ndryshuar kundërligjshëm votat e kandidatëve.

Isak Halimi, Avdi Fetahu, Shemsi Restelica dhe Selatin Rexhepi u gjetën fajtorë dhe u dënuan me nga 5 muaj burg me kusht për periudhën e verifikimit prej 1 viti.

Ky dënim ndaj të akuzuarve u shpall pasi që ata në shqyrtim fillestar, pas leximit të aktakuzës, pranuan fajësinë.

Të akuzuarit sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë,  më 12 dhjetor 2010 gjatë mbajtjes së zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës në qendrën e votimit 1815/01R e cila gjendet në shkollën fillore “Sheqë Merovci”, në fshatin Shtedim Komuna e Podujevës kanë falsifikuar rezultatet e zgjedhjeve apo votimeve në Kosovë.

Sipas aktakuzës, me rastin e numërimit të votave të kandidatëve të subjekteve politike kanë hequr votat e disa kandidatëve dhe u kanë shtuar kandidatëve të tjerë duke i regjistruar në mënyrë jo të saktë gjithsej 658 vota.

Me këtë veprim, sipas prokurorisë, të akuzuarit kanë kryer veprën penale të mashtrimit me votime sipas Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës.

Lidhur me të njëjtën vepër akuzohej edhe Skender Maloku, por  ndjekja ndaj tij ka pushuar pasi që prokuroria në mungesë të provave është tërhequr nga akuza.

Edhe të martën Gjykata në Prishtinë dënoi gjashtë persona për mashtrim në votime.

11 Janar 2018 - 15:56

Labinot Leposhtica 11/01/2018 - 15:56
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend