Dënim me kusht për korrupsion për ish-drejtorin e Komunës së Prizrenit

Gjykata Themelore e Prizrenit, ka bërë shpalljen e aktgjykimit ndaj të akuzuarit  me iniciale I.D. nga fshati Dedaj Komuna e Prizrenit, dhe e ka shpallur fajtor për shkak se ka kryer  veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Për këtë vepër,  Gjykata në Prizren i ka shqiptuar dënimin me kusht, duke ia vërtetuar dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 6 gjashtë muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në afatin prej 1  viti pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, nëse i akuzuari nuk kryen vepër të re penale.

I.D., akuzohej se  në periudhë kohore – gusht të vitit 2015, deri në dhjetor të vitit 2016 në cilësinë e Drejtorit të Administratës Publike pranë Komunës së Prizrenit duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij zyrtare duke keqpërdorur pasurinë publike me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për të tjerët, TV Opinion, TV Besa dhe  TV Prizreni, në atë mënyrë që pa ndonjë procedurë të tenderimit lidh dhe nënshkruan kontratat për emetimin e spoteve reklamuese në lidhje me aplikimet online për nevojat e Komunës së Prizrenit.

Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore në Prizren, kjo ka ndodhur në atë mënyrë ashtu që me TV Opinion lidhë kontratën për transmetim me dt. 01.08.2015 deri me 31.07.2016 në vlerë prej 300 euro në muaj, me TV Besa lidh kontratë me datën 01.09.2015, deri me dt. 01.08.2016 në vlerë prej 250 euro në muaj dhe me TV Prizreni lidh kontratë me dt. 01.04.2016 e cila do të zgjasë deri me datën 31.12.2016 në shumën prej 500 euro në muajm.

Gjithnjë sipas njoftimit të Gjykatës në Prizren, pas  ekspertizës së kryer financiare ka rezultuar se në bazë të kartelave të furnitorëve të tre Televizioneve të lartë përmendura për shërbimet e spoteve reklamuese lidhur me aplikimet online janë tejkaluar shumat të parashikuara me kontratat e nënshkruara e cila arrin shumën prej 17.100 euro.