Foto: Kallxo.com

Dënim me kusht për keqpërdorim të pozitës zyrtare

Të akuzuarit për keqpërdorim të detyrës zyrtare Zenel Telaku dhe Liri Bibaj, janë dënuar me kusht nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Që të dy janë dënuar nga 6 muaj burg me kusht nga trupi gjykues i drejtuar nga gjykatësi Hamdi Ibrahimi.

Zenel Telaku për periudhën verifikuese 2 vite ndërsa Liri Bibaj 1 vit periudhë verifikuese, duhet që të mos kryejnë më asnjë vepër penale në rast se nuk duan ta mbajnë dënimin më burgim prej 6 muaj.

Sipas Hamdi Ibrahimit, Gjykata ka arritur përtej çdo dyshimi të vërtetojë se të akuzuarit e kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen.

Të akuzuarit janë të detyruar të paguajnë shpenzimet procedurale si dhe paushallin gjyqësor.

Zenel Telaku e Liri Bibaj akuzoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Aktakuza ngarkonte Telakun se në cilësinë e personit zyrtar drejtor i Drejtorisë për Menaxhim të Objekteve të Policisë së Kosovës dhe Bibajn në cilësinë e personit zyrtar si inxhinier i hidroteknikës në Drejtorinë për Menaxhimin e Objekteve të Policisë së Kosovës, gjatë implementimit të kontratës për vendosjen e tualeteve statike dhe kontejnerëve për mbeturina kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

http://kallxo.com/gjykimi-zyrtareve-per-demin-ndaj-policise-prej-4503-eurove/

Tualetet, sipas aktakuzës, ishin vendosur nëpër regjionet e Policisë së Kosovës, Prishtinë, Pejë, Mitrovicë, Ferizaj dhe Gjilan, ndërsa kontrata ishte nënshkruar në mes të kompanisë “MSS” nga Prishtina dhe Policisë së Kosovës, konkretisht Drejtorisë për Menaxhim të Objekteve të Policisë së Kosovës.

Prokuroria pretendon se të akuzuarit i kanë sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm kompanisë “MSS” nga Prishtina, duke i bërë pagesa për shërbime të pakryera.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Bibaj pretendohet se i kishte përcjellë faturat e kompanisë “MSS” duke ia lejuar që t’i bëhet pagesa e shumës së të hollave prej 4.503 euro për vendosjen e 285 tualeteve statike, me ç‘ rast i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Policisë së Kosovës.