Gjykimi i inkasantit | Foto: KALLXO.com

Dënim me kusht inkasantit për përvetësim të 947 eurove

Bajram Rudi nga Malisheva, i akuzuar për përvetësim të 947 eurove derisa kryente detyrën e inkasantit në Kompaninë Radoniqi-Dukagjini bashkë me avokatin e tij Teki Bokshi arritën marrëveshje për pranim fajësie me Ali Ukën, prokurorin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë.

Prokurori Uka deklaroi se marrëveshja e arritur më 18 prill të këtij viti, është e lidhur me vullnet të plotë dhe të lirë.

Marrëveshjen për pranim fajësie e aprovoi pastaj edhe gjyqtari, që i shqiptoi Rudit burgimin me kusht prej një viti.

Nëse nuk dëshiron të vuajë këtë dënim prapa grilave, Rudi nuk duhet të kryejë vepra tjera penale gjatë dy vjetëve të ardhshëm.

Gjykata gjithashtu e obligoi Rudin që ta kompensojë dëmin e shkaktuar ndaj kompanisë Radoniqi- Dukagjini, sipas marrëveshjes së arritur me prokurorinë.

Rudi në gjykatë u zotua se do ta kompensojë dëmin.

“Do të mundohem që në periudhën kohore 6 muaj deri në 1 vit, ta kompensoj kompaninë sipas marrëveshjes”, tha Rudi.

Marrëveshjes iu referua edhe Lumnije Këpuska, përfaqësuesja e autorizuar e kompanisë së dëmtuar, kur tha se nuk do të heqë dorë nga kompensimi për dëmin.

“Theksoj se mbetem në tërësi pranë kërkesës pasurore-juridike në vlerë prej 947.27 euro, sipas marrëveshjes, si dhe ndjekjes penale nëse i akuzuari nuk i përmbahet kësaj marrëveshjeje”, tha Këpuska.

Meqenëse palët u mbështetën në marrëveshjen e tyre të lidhur, atëherë edhe hoqën dorë nga gjykimi i rregullt.

Marrëveshja për pranim fajësie ishte paraparë të paraqitej në seancën e kaluar, por atë ditë munguan i akuzuari dhe mbrojtësi i tij.

Gjykimi i inkasantit të akuzuar për përvetësim të 947 eurove

Sipas aktakuzës, i akuzuari Bajram Rudi me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, ka keqpërdorur detyrën zyrtare, pasi duke qenë në pozitën e inkasantit në kompaninë KRU ”Radoniqi-Dukagjini” nga 18 korriku 2016 e gjer më 30 nëntor 2017, ka përvetësuar të holla në shumën prej 947.27 euro nga konsumatorët.

Me këto veprime i akuzuari Bajram Rudi ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

17 Maj 2018 - 15:29

Tringa Rruka 17/05/2018 - 15:29
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend