Dënim i Ri për ish-Kryeministrin Izraelit Ehud Olmert

Ish-kryeministri izraelit Ehud Olmert është dënuar sot me një muaj burgim shtesë për pengim të drejtësisë, një dënim që i shtohet një tjetri prej 18 muaj burgim të shpallur tashmë kundër tij në një aferë korrupsioni, raporton AFP.

Ehud Olmert, 70-vjeç, duhet të shkojë në burg më 15 shkurt pas dënimit përfundimtar me 18 muaj në dhjetor për ryshfet të marrë në kuadër të projektit faraonik të patundshmërive “Holyland” në Jerusalem në kohën kur ishte kryetar i qytetit mes viteve 1993-2003. Ai do të jetë ish-kryeministri i parë që shkon prapa grilave.

Kështu, sipas AFP-së, Ehud Olmert do të hyjë në burg për 19 muaj. Megjithatë, ndaj dënimit shtesë të shpallur sot nga një gjykatë e Jerusalemit mund të apelohet. Këtë mundësi e ka përmendur avokati i tij.

Dosja në të cilën ai u dënua me një muaj më shumë është një incident në rastin e korrupsionit për çka u dënua me 18 muaj dhe në një tjetër në të cilin Ehud Olmert po ashtu është dënuar, por që rasti ende është në Gjykatën Supreme.

Në të dy rastet, ai do të përgjigjet për pengim të drejtësisë pasi që është përpjekur ta bindte ish-sekretaren e tij, Shula Zacken, që të mos dëshmonte kundër tij.

Agence France Presse raporton se Shula Zacken, dëshmitari kyç, e kishte incizuar fshehurazi Ehud Olmertin, i cili i propozonte një shumë parash në shkëmbim me heshtjen e saj.