Dikush ka vendosur një dërrasë për t’i paralajmëruar shoferët për rrezikun nga gropa pa kapak – Foto: KALLXO.com

I Dëmtohet Vetura nga Gropa në Mes të Rrugës

Sipas qytetarit Naim Haxhosaj, ngjarja ka ndodhur në një rrugë afër sheshit të ri “Jusuf Gërvalla”, në Pejë.

Haxhosaj tha se gropa e hapur nuk është larg objektit të Komunës së Pejës.

“Derisa isha duke u kthyer nga Spitali me nënën, pa e vënë re pusetën në rrugë që ishte pa kapak kam rënë në të me të dyja  gomat dhe e kam dëmtuar makinën”, tha Haxhosaj për KALLXO.com.

Ai thotë se për ketë rast ta ketë njoftuar Policinë, e cila në vend të ngjarjes ka thirrur edhe Inspektoratin Komunal të Pejës.

Naim Haxhosaj tha se shumë banorë të lagjes ankoheshin për këtë gropë.

“Banorët u ankuan shumë se janë me dhjetëra makina gjatë ditës që pësojnë në këtë gropë”, tha ai.

Pajazit Gashi, ushtrues i detyrës së drejtorit të Inspektoratit në Komunën e Pejës, tha për KALLXO.com se pasi kanë pranuar raportimin nga një qytetar kanë dalë në vend të ngjarjes.

“Menjëherë kanë dalë ekipet e Drejtorisë në vend të ngjarjes. Gropa është hapur sepse është thyer kapaku i saj me herët. Sipas raportit të bërë nga inspektorët, kapaku ka qenë i plastikës dhe është thyer nga mbipesha”, tha Gashi për KALLXO.com.

Ai thotë që sipas raportit nga vendi i ngjarjes i formuluar nga ekipet inspektuese, gropa në fjalë është kompetencë e KEDS-it.

“Sipas raportit nga vendi i ngjarjes gropa është kompetencë e KEDS-it. Edhe atyre (KEDS) ju kemi dërguar një kopje të procesverbalit dhe kemi kërkuar nga ata ta evitojnë menjëherë defektin”, tha Pajazit Gashi.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e KEDS-it, Viktor Buzhala, i cili ka kërkuar që për rastin në fjalë t’i drejtohemi me shkrim.

Edhe përkundër premtimit se do të kthejë përgjigje gjatë ditës, Buzhala deri me tani nuk është përgjigjur.