Pamje nga vendi ku është dëmtuar gypi i ujit të pijes - Foto: Komuna e Pejës

Dëmtohet Gypi, Lagjja ‘Karagaç’ Mbetet Pa Ujë

Në vendin ku kanë nisur punimet për ndërtimin e Shkollës Profesionale të Muzikës në Pejë dje ka pasur shembje dheu dhe si rezultat është dëmtuar gypi kryesor i ujit të pijes, i cili furnizon lagjen “Karagaç”.

Për këtë arsye, kjo lagje ka mbetur pa ujë.

Dëmtimin e gypit nga shembja e dheut e konfirmoi për KALLXO.com edhe Durim Sheremeti, shef i kabinetit të kryetarit të Komunës, Gazmend Muhaxheri.

“Dje është shembur gypi kryesor i ujit. E kemi ndalë ujin dje për shkak të këtij problemi. Sot gjatë ditës do të rregullohet ky problem. Kompetent për ta rregulluar atë është “Hidrodrini”. I kemi lajmëruar, jemi koordinuar me ata dhe pritet që kjo të rregullohet”, ka thënë Sheremeti.

Shefi i kabinetit të kryetarit të Pejës pati edhe një ankesë tjetër. Sipas tij, përkundër mbylljes së kësaj rruge për qarkullim, shumë qytetarë kanë kaluar andejpari duke vështirësuar punën e kompanisë e cila po merret me punimet e vrazhda, pasi që këto janë fazat fillestare për realizimin e këtij projekti.

Sheremeti tha se Komuna i ka evituar komplet problemet me energjinë elektrike që të mos ketë probleme me energjinë në këtë pjesë të qytetit.