Dëmtimi i Tregut dhe Konkurrencës nga Ministria e Infrastrukturës- (VIDEO)

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës i ka rekomanduar Ministrisë së Infrastrukturës që të fillojë plotësim-ndryshimin e Ligjit nr. 05/L-132 për Automjete, përkatësisht nenit 89 pikës 3, me të cilin kufizohet ofrimi i shërbimeve ndaj konsumatorit brenda komunës ku ka vendbanimin pronari i mjetit, pasi ky ligj është në kundërshtim me Ligjin për Konkurrencën.

Komisioni i Autoritetit të Konkurrencës me unanimitet ka aprovuar mendimin profesional në të cilin konstatohej dëmtimi i konkurrencës dhe i rekomandohet Ministrisë së Infrastrukturës për plotësim- ndryshim të Ligjit për Automjete.

Valon Prestreshi, kryetar i Komisionit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës tha se neni 89 i Ligjit të Automjeteve është në kolizion me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës. Përmes këtij neni kufizohet ofrimi i shërbimit ndaj konsumatorit nga kontrollet teknike brenda komunës ku ka vendbanimin pronari i mjetit. Prestreshi ka konstatuar se kjo e kufizon konkurrencën.

“Konsumatorëve u imponohet zgjedhja e shërbimeve apo produkteve brenda një zone të caktuar gjeografike. I kufizon dhe i drejton ata tek operatorë të caktuar komunalë, apo regjionalë, me rastin e ofrimit të shërbimeve për kontrollin teknik të automjeteve”, tha Prestreshi në mbledhjen e Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës.

Nga pikëpamja e konkurrencës, sipas tij, ligjet dhe rregulloret që kufizojnë numrin e operatorëve ekonomikë në tregun relevant dhe në kufizimin e marrjes së shërbimeve nuk janë në përputhje me rregullat dhe praktikat e konkurrencës.

Prestreshi ka thënë se AKK-ja sipas tij është mbledhur për të vlerësuar këtë ligj dhe është vënë në funksion pas shqetësimit të opinionit publik dhe ankesave të operatorëve ekonomikë të cilët merren me këtë veprimtari ekonomike.

“Përcaktimi i tregut relevant duke iu referuar nenit 6 të udhëzimit administrativ për mënyrën dhe kriteret e përcaktimit të tregut përkatës, bazuar në analizën e këtij rasti, tregu gjeografik do të konsiderohet territori i Republikës së Kosovës. Ndërsa, tregu i produktit konsiderohen shërbimet e qendrave të kontrolleve teknike të automjeteve”, tha Prestreshi.

AKK-ja ka marrë vendim që të kërkojë nga Ministria e Infrastrukturës që të marrë veprime ligjore për amendamentimin e ligjit si dhe draft-udhëzimeve administrative që e rregullojnë fushën përkatëse.

KALLXO.com, ka shkruar se Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka gjetur se Ligji për Automjete (nr. 05/L-132), vlerëson se neni 89 pika 3, bie në kundërshtim me  Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës (nr. 03/L-229).

Zëvendësministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, tha për KALLXO.com se Ministria e Infrastrukturës është duke punuar në amendamentimin e  Ligjit të ri për Homologim  dhe kontrollin teknik të automjeteve në Republikën e Kosovës.

“Ky amandamentim  është bërë publik dhe është i hapur deri sot. Ne do t’i marrim vërejtjet dhe sugjerimet nga gjitha organizatat joqeveritare, shoqëritë civile, njerëz të vullnetit të mirë të cilët duan që ky ligj të jetë sa më i  përshtatshëm për qytetarët e Kosovës”, tha Kadriu.

Sipas tij edhe nga AKK-ja kanë marrë vërejtje, por për një monopol të krijuar nga një vendim i Ministrisë së Infrastrukturës.

“Nga AKK-ja kemi marrë vërejtje  për shkak të licencimit të një operatori ekonomik i vetëm që është në Kosovë që merret me homologimin e automjeteve të cilit i skadon  kontrata në vitin 2019, po ne paraprakisht duhet të jemi gati me amendamentin e ligjit të ri”, u shpreh Rexhepi.