Administrata Tatimore e Kosovës - Foto: KALLXO.com

Dëmtimi i Tregut dhe Konkurrencës nga ATK-ja

Qeveria e Kosovës i ka favorizuar bizneset të cilat nuk i kanë paguar obligimet tatimore, duke e dëmtuar kështu konkurrencën në tregun e lirë.

Favorizimi i bizneseve nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) është bërë përmes tolerimit të borxhlinjve, ndërsa padrejtësia është vulosur me vendimin e Qeverisë dhe Kuvendit për t’i falur borxhet e akumuluara ndër vite.

Kështu, fitimtarë kanë dalë kompanitë të cilat nuk kanë paguar obligimet tatimore. Tolerimi i borxheve, dhe më vonë falja e tyre, shihet se ndërhyrje e shtetit në treg dhe dëmtim i konkurrencës.

Lidhjen në mes të keqmenaxhimit të borxheve, përkatësisht administrimin e borxhlinjve nga ATK-ja me politikën, e bëjnë institucionet financiare ndërkombëtare.

Vërejtjet e FMN-së

Një raport i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për Administratën Tatimore e ka ngritur si shqetësim çështjen e menaxhimit të borxheve dhe nevojën për futjen e tyre nën kontroll.

“Situata e tanishme me rritjen e borxheve tatimore tregon se nevojiten ndryshime në praktikat e deritanishme. ATK duhet të rifokusojë aktivitetet e saj për mbledhjen e borxhit nga borxhet e vjetra tek ato të rejat dhe ta kanalizojë menaxhimin e borxhit”, thuhet në raportin e FMN-së.

FMN-ja rekomandon edhe për mënyrën e orientimit të resurseve në mbledhjen e borxheve.

“Dedikimi i shumicës së resurseve të stafit të mbledhjes (së paku 70 për qind) në mënyrë eksplicite në menaxhimin e borxheve më të reja dhe më të mëdha. Kufizimi i resurseve (më pak se 30 për qind e stafit të mbledhjes) të dedikuar për menaxhimin e borxhit të vjetër ‘kritik’”, thuhet në raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Një raport i Bankës Botërore (BB) thotë se lidhja e një kompanie me politikën apo me krerët e ATK-së shihet si mundësi për t’iu shmangur gjobave dhe kontrolleve për shlyerjen e borxheve. Raporti tregon për nivelin e informalitetit në Kosovë. Përveç kësaj, raporti, duke u bazuar një anketë të bërë, thotë se lidhja me politikën apo zyrtarë të lartë të ATK-së, shihet si përparësi për të bërë biznes. Anketa nxori në pah se lidhjet politike konsideroheshin si të dobishme në shmangien nga dënimet e ashpra për evazion tatimor.

“Rreth 31 për qind e të anketuarve besonin se ajo që ka ndihmuar më së shumti në shmangien e dënimeve të mëdha për shkak të evazionit tatimor ishte që ‘së paku njëri nga pronarët të ishte politikan’”, thuhet në raportin “Politikat tatimore, evazioni tatimor dhe boshllëku tatimor”, i cili ishte përfunduar në qershorin e vitit 2014, por ishte prezantuar me një vit vonesë nga Banka Botërore.

Gjithashtu, rezultatet e anketës tregojnë se 30 për qind e bizneseve besonin se duke pasur ‘një pronar të ndërmarrjes ose menaxher të lartë, i cili ka miq në ATK” ishte mënyra e vetme më e mirë për të shmangur një dënim.

“Është interesante se vetëm 23 për qind e të anketuarve ka konsideruar se lidhjet me kabinetin qeveritar është mënyra që ka ndihmuar më së shumti për mënjanimin e dënimeve”, thuhet në raportin e BB-së.

“Gazeta JnK” ka analizuar raportet e Auditorit të Përgjithshëm për Administratën Tatimore të Kosovës, me theks të veçantë shqetësimet e ngritura për akumulimin e borxheve ndaj këtij institucioni.

Në raportin e auditimit të vitit 2010 thuhet se ATK-ja nuk ka arritur t’i mbledhë borxhet e vjetra. Për më tepër, Auditori konstaton se ATK-ja nuk i ka trajtuar në të njëjtën mënyrë të gjithë borxhlinjtë.

“Me qëllim të vjeljeve të borxheve në mënyrë më të lehtë dhe më të shpejtë është nxjerrë edhe UA 13/2009, për vënien e urdhër-vjeljeve në llogaritë bankare, thesar dhe llogaritë e mbajtura në institucionet e tjera financiare. Nga auditimi ynë ne kemi vërejtur se ky UA nuk është duke u zbatuar në të gjitha rastet njësoj”, thuhet në raportin e Auditorit për vitin 2010.

Edhe vitet pasuese ishin të njëjta sa i përket përformancës në mbledhjen e borxheve. Raporti i auditimit për vitin 2012 tregon se shuma e borxheve të vjetra ishte rritur.

“Nga analizat e bëra, borxhet më të vjetra se 6 vjet (përfshijnë periudhën 2000-2006) kanë arritur vlerën 104 milionë €. Kjo shumë e borxhit është bërë ligjërisht e pambledhshme. Ndërsa borxhet kritike që gjatë vitit 2012 kanë kaluar në borxhe më të vjetra se 6 vjet janë 22 milionë euro”, thuhet në raportin e Auditorit për  vitin 2012 për ATK-në.

Në raportin e vitit 2013 është dhënë vetëm vlera totale e borxheve, mirëpo nuk është specifikuar se sa është borxhi që ka tejkaluar periudhën prej 6 vjetësh.

Raporti i Auditorit thotë në fund të vitit 2013 borxhet janë 253 milionë e 496 mijë euro.

Raporti i Auditorit për vitin 2014 thekson se borxhet janë rritur për 24 milionë e 326 mijë euro krahasuar me vitin 2013.

Tolerimi i Borxheve

“Gazeta JnK” ka analizuar procesin e raportimit të borxheve nga ATK-ja, të cilat tregojnë për një fshehje të borxheve.

Kjo fshehje e borxheve ka ardhur për shkak të masivizimit të borxhit. Kjo shihet në raportin e Auditorit për vitin 2015. Aty thuhet se në krahasim me vitin 2014, borxhet në vitin 2015 janë rritur për 185 milionë e 373 mijë euro.

Kjo rritje enorme e borxheve kishte ardhur pasi për herë të parë ishin llogaritur edhe borxhet pasive të viteve të mëhershme, të cilat nuk kanë qenë të pasqyruara në Pasqyrat Vjetore Financiare të viteve të kaluara.

Çdo borxh që nuk arrin të inkasohet brenda 6 vjetëve, ai pasivizohet dhe ATK-ja nuk e raporton më si borxh.

“Kur vlerësimi tatimor bëhet i pambledhshëm si rezultat i skadimit të kohës së mbledhjes sikur që është paraparë në nenin 33, ATK mund t’i shlyejë këto detyrime nga shënimet e saja dhe do të anulojë borxhin tatimor, kur dispozitat e nenit 33 dhe paragrafit 3 të nenit 37 të këtij Ligji janë plotësuar pa autorizim të mëtutjeshëm. ATK do të përfshijë në raportin e saj vjetor për ministrin dhe organin kompetent vlerën e borxheve të shlyera si rrjedhojë e kësaj dispozite”, thuhet në nenin 43  për borxhet tatimore të pambledhshme.

Qeveria e Kosovës ka dashur të lirohet nga borxhet e vjetra duke i falur ato.

Në shtator të vitit 2015 ka hyrë në fuqi Ligji, i cili u mundëson bizneseve dhe qytetarëve t’i shlyejnë borxhet e akumuluara deri në vitin 2008.

Sipas të dhënave zyrtare të dërguara nga ATK-ja, deri më tani janë falur borxhe në vlerë prej 213 milionë e 822 mijë euro, janë inkasuar në emër të Ligjit 23 milionë e 798 mijë euro.

Përkundër faljes së këtyre borxheve, ATK-ja ka raportuar se gjendja e borxheve me datën 13 tetor 2016 është 303 milionë e 336 mijë e 945 euro. Në këtë vlerë bëjnë pjesë edhe borxhet më të vjetra se 6 vjet. ATK-ja thotë se 173.9 milionë eurove u ka skaduar afati prej 6 vjetësh.

Shumë biznese e qytetarë nuk i janë përgjigjur thirrjeve të vazhdueshme të Qeverisë për shlyerjen e borxheve brenda afatit të paraparë ligjor, deri në shtator të vitit 2016.

Problemet e Borxheve të Falura

Për pasojë, Qeveria e Kosovës i ka propozuar së fundmi që të prolongojë mundësinë e shlyerjes së borxheve edhe për një periudhë 1-vjeçare.

Bizneset kundër faljes së borxheve

Janë përfaqësuesit e bizneseve ato që e kanë kundërshtuar vendimin e Qeverisë për t’i falur borxhet.

Arian Zeka, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane, thotë se me faljen e borxheve është dëmtuar konkurrenca e drejtë në mes të bizneseve, që është parakusht i ekonomisë së tregut.

“Qëndrimi i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë ka qenë kundër vendimit të Qeverisë e më vonë edhe Ligjit për Faljen e Borxheve Publike, pikërisht duke u thirrur në trajtimin jo të drejtë të tatimpaguesve të cilët kanë qenë të rregullt në kryerjen e detyrimeve të tyre ligjore, si dhe në perceptimin dhe pritjet e ardhshme që tatimpaguesit jo të rregullt mund të kenë që pas disa vitesh mund të ketë sërish një vendim të ngjashëm. Kjo do të krijonte një kulturë jo të mirëfilltë në kryerjen e detyrimeve ligjore të deklarimit dhe pagesës së tatimeve”, tha Zeka.

Ndërsa, Ibrahim Rexhepi, drejtor i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale (STRAS), thotë se falja e borxheve mund të shihet si vendim që ka pasur ndikim pozitiv apo negativ në biznes.

“Qeveria ka qenë në një situatë pa alternativë, ose ka tentuar përmes faljes së borxheve të rregullojë raportet ndërmjet borxhlinjve dhe agjencive tatimore e ndërmarrjeve publike, ose të lejojë që ato të rriten në pafundësi. Këto borxhe janë bartur nga viti në vit nëpër evidencat e agjencive kërkuese, janë llogaritur kamata dhe ndëshkime, të cilat kanë ndikuar në përkeqësimin e përformancës së tyre. Falja e borxheve pa dyshim ka ndikim në pozitën e shumë kompanive, diku për të mirë, e diku për të keq”, thotë Rexhepi.

Rimbursimi i Vonuar

Telashet me rimbursimin e mjeteve është një tjetër shqetësim i ngritur në një anketë me bizneset të realizuar nga ATK-ja në bashkëpunim me GIZ-in gjerman.

“Dy procedurat më problematike janë rimbursimet dhe paraqitja e ankesave. Diskutimet më tej zbuluan se nuk janë vetëm vështirësia dhe kostoja e kohës së këtyre procedurave që janë problematike, por edhe qasja e disa inspektorëve të ATK-së. Ato që dallohen si më të lehta janë procedurat e regjistrimit dhe të pagesave, ndërsa rimbursimi dhe paraqitja e ankesës konsiderohen si më të vështira”, thuhet në anketën me tatimpagues për vitin 2015 të publikuar nga ATK-ja dhe GIZ-i.

Rimbursimi rregullohet me Ligjin e ATK-së. Në thelb, Ligji ia mundëson tatimpaguesve (bizneseve) që nëse paguajnë më shumë tatim se sa tatimi i përgjithshëm në investime për atë periudhë kohore të kërkojnë kthimin e mjeteve të tepërta.

“Personi i tatueshëm mund të kërkojë rimbursimin e TVSH-së nëse në fund të secilit tremujor kalendarik shuma e kreditit të TVSH-së tejkalon shumën prej 5,000 euro dhe me kusht që personi i tatueshëm të ketë qenë në gjendje kreditimi në fund të secilës periudhë tatimore të tremujorit, dhe nëse janë dorëzuar të gjitha deklaratat e TVSH-së dhe tatimeve të tjera për të gjitha periudhat tatimore të kaluara”, thuhet në nenin 40 pika 2.1 e Ligjit Mbi Tatimi në Vlerën e Shtuar.

Ligji thotë se pas dorëzimit të kërkesës së bizneseve për rimbursim, ATK-ja është e obliguar që brenda 60 ditëve të marrë një vendim rreth kërkesës së dorëzuar.

Në kuadër të anketës janë pasqyruar edhe detajet që kanë dalë nga një fokus-grup i organizuar me tatimpaguesit.

“Nëse flasim për qasjen e inspektorëve të ATK-së, unë do të thosha se ata nuk kanë qasje korrekte. Qasja e tyre është e ngjashme me atë të zyrtarëve policorë. Ata thjeshtë vijnë në zyrën tonë pa ndonjë njoftim a kartelë identifikimi dhe kërkojnë dokumente të panumërta. Sipas mendimit tim kjo nuk është qasje e duhur”, citohet në këtë raport një pjesëmarrës në fokus-grupin “Burrat në Biznes”.

Vonesat në rimbursimin e mjeteve janë ngritur si shqetësim edhe nga Auditori i Përgjithshëm.

“Nga 130 kërkesa për rimbursime të tatimeve, 75 prej tyre kanë vonesa përtej afateve kohore të limituara për kthimin e përgjigjes. Kemi vërejtur se vonesat shkojnë nga 1 deri në 487 ditë”, thuhet në raportin e Auditorit për vitin 2010. Madje, raporti thotë se këto vonesa kanë bërë që ATK-ja të paguajë edhe interes në shumë prej 17 mijë e 89 euro.

E njëjta vërejtje ishte edhe në raportin e vitin 2011.

“Nga 21 mostra prej 205 kërkesave për rimbursime të tatimeve, 14 prej tyre kanë vonesa përtej afateve kohore të limituara për kthimin e një përgjigje. Ne kemi vërejtur se vonesat shkojnë nga 1 deri në 289 ditë. Si rezultat i këtyre vonesave dhe dështimit për të paguar më kohë ATK ka paguar edhe interes”, thuhet në raportin e Auditorit të vitit 2011 për ATK-në.

Vonesa në rimbursim ka pasur të paraqitura edhe në  raportet e vitit 2014 dhe 2015.

Ibrahim Rexhepi, njohës i çështjeve ekonomike, rimbursimin e mjeteve e sheh nga dy aspekte. E para, sipas tij, vonesat në rimbursim tregojnë për mosfunksionim të mekanizmave të rimbursimit. Dhe e dyta, është dëshira e Qeverisë që buxheti të mbajë sa më gjatë paranë e huaj.

Por, Rexhepi thotë se ka frikë që bizneset mund të jenë objekt i kontrolleve të shpeshta të ATK-së nëse kërkojnë kthimin e mjeteve.

Bizneset Joaktive Fitojnë Tenderë nga Institucionet Publike

Raportet e Auditorit për ATK-në kanë gjetur se institucionet e Kosovës i kanë shpërblyer më kontrata bizneset joaktive.

“Nga evidenca e bizneseve të kategorizuara si joaktive, ne kemi identifikuar se 171 biznese nga 37,034 biznese joaktive  kanë realizuar të hyra nga Buxheti i Kosovës për vitin 2010 në shumë 4 milionë e 281 mijë e 963 euro. Këto ishin realizuar nga marrëdhëniet kontraktuese që tatimpaguesit joaktivë kishin me organizata buxhetore të ndryshme”, thuhet në raportin e Auditorit për ATK-në për vitin 2010.

Auditori përmes këtij shembulli ka treguar se si bizneset realizojnë të hyra ndërkohë që ATK-ja i konsideron ato si joaktive.

“Në këtë shumë nuk janë të përfshira të hyrat e tjera që kanë mundur të realizojnë këto biznese nga aktivitetet private”, thuhet në raportin e Auditorit për vitin 2010.

“Sipas mostrave që kemi marrë, disa biznese joaktive kanë deklaruar tatime duke dorëzuar deklaratat tatimore. Por, ka edhe biznese që nuk kanë paguar dhe as deklaruar asnjëherë tatime, ndërsa në anën tjetër kanë realizuar të hyra përmes Thesarit”.

Viti 2014 po ashtu gjen biznese joaktive, të cilat nuk i përgjigjen ATK-së me pagesë tatimi, e marrin kontrata nga institucionet buxhetore.

Një tjetër shkelje është evidentuar nga Auditori që tregon mosefikasitetin e ATK-së. Auditori thotë se në vitin 2012 ka pasur raste kur ATK-ja ka lëshuar certifikatë për kryerjen e obligimeve tatimore për disa biznese, e ato biznese ishin borxhlinj ndaj ATK-së.

ATK-ja kishte vazhduar me të njëjtat shkelje edhe në vitin pasues (2013).

Auditori ka evidentuar 11 operatorë ekonomikë, të cilët kanë marrë punë nga buxheti i Kosovës, duke pasur borxhe në ATK.

Skandali i Zbuluar nga Emisioni “Jeta në Kosovë”

Emisioni “Jeta në Kosovë” ka transmetuar hulumtimin disamujor rreth një skandali multimilionësh në Administratën Tatimore të Kosovës.

Hulumtimi i nisur kur një hetues në ATK ka raportuar skandalin në KALLXO.com është transmetuar në tri emisione që janë quajtur trilogji.

“Vjedhja e Organizuar Tatimore” është titulluar hulumtimi që dëshmon skemën e organizuar për vjedhjen e arkës së shtetit. Hulumtimi ka qenë më i madhi i bërë në Kosovë në fushën e evazionit fiskal.

Vjedhja e Organizuar Tatimore

http://kallxo.com/kontabilisti-akuzuar-per-krim-te-organizuar-flet-per-vjedhjet-tatimore/

http://kallxo.com/bizneset-familjare-te-zyrtareve-atk-se-nuk-kontrollohen-per-tatime/