Ish Kryeministri, Sali Berisha dhe Kryetari i PD, Lulzim Basha, gjate nje mbledhje te grupit parlamentar te Partise Demokratike | Foto : Malton Dibra/LSA

Demokratët të Përçarë drejt Zgjedhjeve për Kryetar

Anëtarët e Partisë Demokratike iu drejtuan të shtunën kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e katër vjetëve të ardhshëm- zgjedhje të cilat zhvillohen nën vulën e humbjes drastike të 25 qershorit dhe kritikave të brendshme për një “proces farsë në shkelje të statutit”.

Procesi i votimit filloi në orën 8:00 të mëngjesit në 73 degët e PD-së, ndërkohë që të drejtën e votës e kanë rreth 100 mijë anëtarë.

Lulzim Basha, i cili pret të dalë nga kjo garë me mandatin e dytë në krye të PD-së votoi rreth orës 11:00 në selinë qendrore.

“Jam i bindur se demokratët do të dalin më të fortë dhe më të bashkuar nga ky proces”, tha Basha në një deklaratë të shkurtër për mediat.

Njësoj si Basha, edhe rivali i tij, Eduard Selami shprehu gjithashtu besimin se Partia Demokratike do të dalë më e fortë nga ky proces. Megjithatë, ai e vuri theksin tek gara e pabarabartë.

“Pavarësisht pabarazisë unë e di që demokratët do të dinë të zgjedhin kryetarin që do t’i kthejë shpresën PD-së”, deklaroi Selami.

Që prej momentit kur u bë e qartë se Partia Demokratike kishte humbur më shumë se 200 mijë vota në zgjedhjet e fundit, Basha u etiketua si përgjegjësi kryesor dhe një numër i madh drejtuesish partiakë i kërkuan atij dorëheqjen.

Basha u shfajësua me akuzën se rezultati ishte diktuar nga shitblerja e votës, ndërsa deklaroi se do të kandidonte për një mandat të dytë duke “ngrirë” funksionet e tij në krye të partisë.

Përgjatë tre javëve të fushatës, Basha iu rikthye projektit të tij të “Republikës së re”, ndërkohë që Selami u mëshoi dështimeve të njëspasnjëshme të kryetarit aktual, duke e etiketuar si “model humbës për demokratët”. Oferta e Selamit për ringritjen e PD-së lidhet kryesisht me rikthimin te vlerat ideologjike të së djathtës.

Një grup i tretë brenda PD-së, i përbërë kryesisht nga funksionarë të lartë dhe ish-ministra të Partisë Demokratike në kohën e drejtuar nga Berisha e ka quajtur farsë garën mes Bashës dhe Selamit dhe e bojkotoi atë.

Në një tur takimesh të zhvilluar me demokratët e pakënaqur që kulmoi të premten në Tiranë, lëvizja e përfaqësuar nga Astrit Patozi, Majlinda Bregu, Ridvan Bode, Besnik Mustafaj etj kërkuan dorëheqjen e Bashës, si kusht i vetëm për t’i hapur rrugën një gare të vërtetë për ringritjen e Partisë Demokratike.

Sali Berisha, lideri historik i së djathtës dhe i përceptuar ende gjerësisht si aktori kryesor i së djathtës luajti një rol kyç katër vjet më parë për t’ia kaluar stafetën Bashës. Ndonëse ka qëndruar i heshtur ndaj furtunës së akuzave që shoqëruan këto zgjedhje, Berisha “e certifikoi” procesin si në përputhje të plotë me statutin pas votimit të tij të shtunën.

“Mund t’ia kërkoje Lulzim Bashës dorëheqjen, është normale të kërkosh. Por statuti nuk ka asnjë fjalë që thotë se kryetari duhet të dorëhiqet. S’ka statut që e detyron”, deklaroi ai për mediat.

Berisha bëri thirrje për bashkimin e të gjitha palëve dhe ndërtimin e një strategjie të re fitoreje. Megjithatë, kjo thirrje vështirë se mund të gjejë jehonë mes kundërshtarëve të Bashës në PD.

Ndërsa një pjesë e anëtarëve të PD-së iu drejtuan kutive të votimit, Astrit Patozi përsëriti bindjen përmes një statusi në Facebook se procesi është një farsë.

“Lëvizja jonë nuk ndalet. Ajo ka vetëm një qëllim: bashkimin dhe ringritjen e shpejtë të Partisë Demokratike”, shkroi ai.

Marrë nga reporter.al