Kisha ortodokse në kampusin e Universitetit të Prishtinës | Foto: Atdhe Mulla

Demokracia Studentore Peticion Kundër Gjyqtarëve të Apelit

Demokracia Studentore do të nisë javën e ardhshme një peticion për përjashtimin e kolegjit të Apelit që i dha të drejtë kishës në lidhje me tokën ku ajo është vendosur brenda kompleksit universitar.

“Ne do të vazhdojmë nga java e ardhshme duke filluar me peticion për të kërkuar përjashtimin e trupit gjykues të Gjykatës së Apelit”, tha Mexhit Ramusa nga kjo organizatë studentore.

Apeli e mori këtë vendim pasi përfaqësues të Universitetit të Prishtinës nuk u paraqitën në seancën ku shqyrtohej padia që kishin bërë ndaj kishës ortodokse.

“Peticioni do të nënshkruhet nga studentët e Universitetit të Prishtinës dhe do t’ia dorëzojmë Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe nëse nuk përjashtohet ky trup gjykues ose nuk shfuqizohet ky vendim ne do t’i përdorim të gjitha format e mundshme deri sa ajo tokë t’i rikthehet Universitetit të Prishtinës”, tha më tutje Ramusa.

Për humbjen e gjyqit të UP-së me kishën ortodokse, KALLXO.com shkroi më 13 nëntor.

http://kallxo.com/ekskluzive-humb-gjyqin-toka-ne-kampus-mbetet-kishes/

Ramusa i Demokracisë Studentore vendimin e cilësoi të dëmshëm.

“Vendimi që është marrë nga Gjykata e Apelit është vendim që po dëmton rëndë si Universitetin e Prishtinës ashtu edhe tërë kombin tonë”, tha Mexhid Ramusa nga kjo organizatë studentore.

Universiteti i Prishtinës në fund të nëntorit përsëri paditi kishën ortodokse për pronën brenda kompleksit universitar.

http://kallxo.com/universiteti-prishtines-padit-perseri-kishen/

Për humbjen e padisë ndaj kishës pritet të diskutohet edhe në një mbledhje të Senatit të Universitetit të Prishtinës.

http://kallxo.com/senati-mbledhje-te-vecante-per-padine-e-refuzuar-ndaj-kishes/

Kisha ortodokse brenda hapësirës së UP-së u ndërtua në vitet ’90 në kohën kur Kosova qeverisej dhunshëm nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.

Demokracia Studentore thotë se nuk mund të pranojë që objekti i cili është ndërtuar me dhunë nga forcat serbe të jetë funksional.

Më 22 nëntor Demokracia Studentore organizoi protestë kundër vendimit të Apelit dhe mosshkuarjes së përfaqësuesve të UP-së në seancën ku u shqyrtua padia ndaj kishës ortodokse.

http://kallxo.com/perfundon-e-qete-protesta-para-kishes-dhe-te-rektorati/