Pamje nga një mbledhje e Kryesisë së Kuvendit - Foto: KALLXO.com

‘Demokraci Plus’ Dënon ‘Ndërhyrjen e Kuvendit në Gjyqësor’

Organizata “Demokraci Plus” (D+) ka reaguar me shqetësim rreth vendimit të sotshëm të Kryesisë së Kuvendit për organizimin e seancës së jashtëzakonshme që për pretekst kanë vendimet e fundit të organeve gjyqësore në rastet e njohura si “Drenica 1” dhe “Drenica 2“.

“Ky veprim i Kuvendit cenon rëndë pavarësinë e pushteteve të pavarura të përcaktuara me Kushtetutën e Kosovës. Trajtimi dhe debati politik i vendimeve të institucioneve të pushtetit gjyqësor është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në pushtetin gjyqësor dhe paraqet praktikë të rrezikshme për të ardhmen e vendit”, thekson kjo OJQ përmes një komunikate.

“Për më tepër ky nuk është rasti i parë dhe i vetëm ku Kuvendi i Kosovës hapur dhe drejtpërdrejtë i ndërhyn gjyqësorit. Praktika të tilla kanë ndodhur edhe në të kaluarën në raste të ngjashme si debati parlamentar për rastin “Kiqina”. Ky debat dhe të tjerët të ngjashëm tregon për shpërfilljen e hapur të partive politike dhe Kuvendit të Kosovës për pushtetin gjyqësorë”, thuhet më tej në komunikatë.

Organizata “Demokraci Plus” i bën thirrje institucioneve të tjera,  me theks të veçantë institucionit të Presidentit të vendit, që si garant i funksionimit kushtetues të institucioneve, të shfrytëzojë autoritetin e tij që praktikat e tilla jodemokratike të marrin fund në jetën politike dhe institucionale në Kosovë.

KALLXO.com raporti sot për vendimin e Kryesisë së Kuvendit që nesër të organizojë seancë të jashtëzakonshme për “vlerat e UÇK-së“, vendim që vjen pas dënimit të grupit “Drenica 2” për krime të luftës.

http://kallxo.com/neser-seance-per-vlerat-e-uck-se/