Demi: Në Kosovë të Fortit të Sundojnë Përmes Ligjit

Në një status në Facebook, njohësi i çështjeve ekonomike dhe hulumtuesi i lartë i Institutit GAP ka bërë një analizë të shkurtër të vendimeve dhe veprimeve të institucioneve të Kosovës të cilat tregojnë se si janë shtypur ata që nuk kanë zë dhe janë përkrahur e favorizuar bizneset e mëdha, njerëzit e fuqishëm apo sektorë të caktuar.

“Ky nuk është vend për të drejtin e për të dobëtin. Policia dhe FSK nuk lejohen të hyjnë në grevë, edhe nuk ju rriten rrogat. Mësimdhënësit, mjekët e shërbyesit civilë kërcënojnë me greva, andaj atyre u rriten rrogat para çdo palë zgjedhjesh”, ka shkruar Demi.

Tutje, Demi ka bërë një analizë të sjelljes së qeverisë karshi bizneseve të vogla dhe naftëtarëve për procesin e fiskalizimit.

“Bizneset e vogla pajisen me arka fiskale ngase janë të përgjegjshme dhe nuk kanë krah mbështetës, e pikat e karburanteve, shitësit e telefonave mobilë, shitësit e automjeteve nuk fiskalizohen. E tash Ministria e Financave i detyron këta që kanë arka fiskale me harxhu edhe pak pare dhe me i avancu arkat, e shitësit e naftës i lut me gjet mirëkuptim dhe me u fiskalizu, kurdo që ata janë gati”, ka shkruar Demi.

Demi ka thënë se qytetarët dhe bizneset e përgjegjshme që nga 1999 paguajnë faturat e rrymës, ujit, bërllokut, kurse atyre që nuk paguajnë u falen borxhet vazhdimisht.

Njohësi i çështjeve ekonomike tutje ka shkruar për propozimin e ri të qeverisë për rritje të pagave për mësimdhënësit dhe punëtorët shëndetësorë. Me këtë veprim, Demi ka thënë se vetëm do të rritet barra ndaj punëtorëve të sektorit privat, të cilëve u shkelen të drejtat dhe ndaj të papunëve, pasi më shumë tatim i paguar nga ta do të shkojnë për pagat e atyre në sektorin publik.

Hulumtuesi i Institutit GAP ka shkruar se institucionet e shtetit merren me çmimin e makiatove, por jo edhe me 30 milionë eurot e humbura në PTK.

“Prodhuesit e mjedrës në Podujevë që vendosën t’i shesin mjedrat disa centë më shtrenjtë dhe pronarët e kafiterive në Gjilan të cilët vendosën ta rrisin çmimin e makiatos për 20 centë, shteti ua ndali në fyt, duke deklaru me mburrje se ia ndali hovin karteleve; kurse askush nuk u mor në përgjegjësi për 30 milionë eurot e humbura në PTK, 5 milionë eurot e humbura për pasaportat”, ka shkruar Demi.

Ai ka shkruar edhe për efikasitetin e gjyqësorit.

“Katër vjet më parë ai që vodhi hekur në Obiliq u dënua me dy vjet burg, kurse për çdo ditë vjedhësit e miliona euro të shtetit marrin dënime me kusht. Me kusht që brenda dy vjetëve nuk vjedhin ma. Facebook-kërcënuesi i djalit të Kryeministrit arrestohet brenda ditës e dënohet nga gjykata brenda javës, ne të tjerët “masakrohemi” me mesazhe kërcënuese e askush nuk don me dëgju”, ka shkruar ai. “Në këtë vend nuk sundon ligji. Në këtë vend të sundojnë përmes ligjit. A duhet shtypja me qenë vetëm fizike, si ajo e Serbisë, për me pas reagim qytetar?”

Aplikanti nr.879