Presidenti Hashim Thaçi - Foto: Facebook

Demarkacioni, Thaçi Sulmon ‘Zhurmëkotët e Zakonshëm’

Presidenti i Kosovës ka kritikuar Komisionin për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi për manipulim të mediave dhe nëpërmjet tyre edhe të opinionit publik me pretendimet “amatoreske” e të paargumentuara lidhur me të gjeturat e reja lidhur me kufirin me vendin fqinj.

Hashim Thaçi aludonte në deklaratat e djeshme të kryetarit Komisionit të ri për Shënjimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi, Shpejtim Bulliqi, i cili tha se janë të bindur se kanë gjetur prova me te cilat dëshmohet se përcaktimi i kufirit të Kosovës me Malin e Zi është bërë gabim.

“Zhurmëkotët e zakonshëm, të cilët për më shumë se dy vjet shkaktojnë konfuzion, jo më larg se dje, iu rikthyen zanatit të tyre. Ata përsëri arritën që me lehtësi, duke mos argumentuar asnjë pretendim amatoresk të zbuluar nga ta, të manipulojnë mediat dhe nëpërmjet tyre opinionin publik”, ka shkruar presidenti në profilin e tij në “Facebook”.

Thaçi thotë se këta individë kështu e ushqejnë sagën e tyre me trillime e opinioni publik si gjithmonë e pëson më së shumti “jo vetëm për shkak se vazhdojnë të dëgjojnë të njëjtën zhurmë, por edhe sepse mungesa e përgjegjësisë shtetërore për ratifikimin e Marrëveshjes vazhdon t’i mbajë qytetarët dhe shtetin e Kosovës të izoluar”.

“Ndërsa, në rast se institucionet tona shtetërore do të vazhdojnë të mbetën peng të trillimeve individuale apo qoftë edhe të një grupi politik të caktuar, atëherë sigurisht që pasojat për shtetin tonë mund të jenë edhe më të rënda”, ka theksuar presidenti Thaçi në këtë postim.

“Prandaj, është koha që institucionet tona shtetërore të tejkalojnë këtë situatë duke u sjellë në mënyrë të përgjegjshme. Nuk mund të vazhdohet në pafundësi që individë të caktuar, shtetin ta trajtojnë si pronë private. Institucionet e Republikës së Kosovës, të zgjedhura nga qytetarët e Kosovës, duhet të marrin vendim për këtë çështje në përputhje me obligimet dhe proceduarat, pa u ndikuar nga individë të caktuar”, ka shtuar ai.

“Nuk mund të mbetemi peng të tekave të askujt dhe kauzave të rrejshme, të cilat jo vetëm që na mbajnë të izoluar, por rrezikojnë të prishin marrëdhëniet shtetërore me Malin e Zi, por mbi të gjitha, rrezikojnë të prishin bashkëpunimin dhe besimin që ka Kosova me SHBA-në, NATO-n dhe BE-në”, ka përfunduar presidenti Thaçi.