Pamje nga zona kufitare me Malin e Zi - Foto: Bujar Tërstena/REL

Demarkacioni, të Hënën Para Deputetëve në Komision

Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike të hënën do ta shqyrtojë marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Kuvendi i Kosovës njoftoi sot se shqyrtimi i projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për kufirin shtetëror mes Kosovës dhe Malit të Zi do të bëhet në mbledhjen e këtij komisioni.

Kjo mbledhje do t’i japë fund pushimit dimëror të Kuvendit dhe fillimit të sesionit pranveror të punës së legjislativit.

Marrëveshja për demarkacionin bashkë me raportin e Komisionit të ngarkuar për vlerësimin e kësaj marrëveshjeje ishin miratuar nga Qeveria e Kosovës muajin e kaluar.

Kjo marrëveshje ishte nënshkruar në gusht të vitit 2015 por asnjëherë nuk ka dalë në votim para deputetëve për shkak të mungesës së mbështetjes parlamentare.

Për ta ratifikuar këtë marrëveshje kërkohet mbështetje e 80 nga 120 deputetët e Kuvendit.