Tubimi që vendosi për protestqn në Pejë | Foto: KALLXO.com

Demarkacioni Kundërshtohet të Shtunën në Pejë

27 gushti si ditë e protestës u vendos nga këshilli i saj organizativ në një tubim të përfaqësuesve të banorëve të zonës kufitare me Malin e Zi dhe subjekteve politike që veprojnë në Rugovë të Pejës.

Ali Lajçi që ishte anëtar vëzhgues në Komisionin Shtetëror të Demarkacionit me Malin e Zi u zgjodh kryesues i tubimit të sotëm që vendosi për organizimin dhe datën e protestës.

“ Është këshill i përbërë prej një spektri të gjerë i cili ka vendosur  që me datën 27 gusht (ditë e shtunë) në orën 12:00, në qendër të Pejës të organizojë tubim kundërshtues të kësaj vije të demarkacionit që mendohet të shkojë në Kuvend për ratifikim me datën 1 shtator,” tha Lajçi për KALLXO.com.

Ky takim i thirrur nga Klubi i Intelektualëve të Rugovës, u mbështet edhe nga nëndegët e partive politike të këtij rajoni dhe përfaqësuesit e zonave kufitare me Malin e Zi.

“Janë bashkangjitur LDK, LVV, AAK, PDK. Të gjitha subjektet kanë dërguar përfaqësues të tyre në këshillin organizativ të tubimit, disa nga degët, e disa nga nëndegët e tyre.  Do ta kenë fjalën edhe të gjithë përfaqësuesit  e subjekteve politike gjatë tubimit,” tregoi Lajçi.

Ai deklaroi se pret që protesta të jetë masovike.

Edhe një protestë tjetër e Lëvizjes “Vetëvendosje” është paralajmëruar më 1 shtator, ditën kur pritet të vendoset për demarkacionin në Kuvend.

Duke komentuar adresimet dhe deklaratat e Presidentit Thaçi në të cilat ai vazhdimisht po kërkon ratifikimin e demarkacionit, Lajçi dy ditë më parë tha për KALLXO.com se Presidenti po bën presion pasi ndodhet në panik, ngase sipas Lajçit koalicioni qeveritar nuk i ka numrat e nevojshëm për ratifikim të demarkacionit.

Ratifikimi mund të kalojë në Kuvend me votat e 80 deputetëve, ose dy të tretave të numrit të tyre të përgjithshëm.

Sot edhe komisioni që përcaktoi vijën aktuale kufitare me Malin e Zi  që pritet të shkojë në Kuvend, vazhdoi ta mbrojë atë, duke publikuar harta të Marrëveshjes së Kumanovës të nënshkruar mes forcave të NATO-s dhe atyre të ish-Federatës Serbi-Mali i Zi në qershor të vitit 1999 që i dha fund luftës në Kosovë.