Pamje nga një mbledhje e qeverisë - Foto: ZKM

Demarkacioni e Pret Votimin e Mocionit

Përmes një komunikate, Qeveria thekson se pas diskutimeve të partnerëve të koalicionit qeverisës PDK-LDK, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e ShBA-së, është arritur dakordimi që mbledhja e kabinetit qeveritar ku do të shqyrtohet Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin të mbahet pas seancës së Kuvendit që do të zhvillohet të mërkurën.

Në këtë komunikatë theksohet po ashtu se Qeveria shpreh përkushtimin e saj të plotë që në bashkëpunim të ngushtë me partnerët strategjikë ndërkombëtarë, SHBA-të dhe BE-në, të adresojë me prioritet dhe përkushtim të plotë çështjen e Ratifikimit të Kufirit Shtetëror me Malin e Zi, si një prej vendimeve më të rëndësishme për të ardhmen e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës për të mërkurën është paraparë mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë, i iniciuar nga partitë opozitare, por i cili është mbështetur edhe nga disa deputetë të koalicionit.

Në mocionin e opozitës të dorëzuar të premten në Kuvend, teksa konstatohet se kabineti qeveritar po reflekton shenja të mosfunksionimit total brenda vetes, përmenden edhe dëmet ekonomike nga vendimet e arbitrazhit për aferën e pasaportave dhe përballjen e “Valës” me “Z Mobile”, por edhe elemente tjera që opozita i konsideron dështime të ekzekutivit.

http://kallxo.com/opozita-shpreson-rrezimin-e-qeverise/

Mocionin e kanë nëshkruar edhe katër deputetë të PDK-së, duke shkelur një pikë të marrëveshjes së koalicionit e cila ndalonte subjektet nënshkruese që të përkrahin mocionet e të tjerëve kundër kësaj qeverisjeje.

http://kallxo.com/pdk-e-shkel-marreveshjen-e-koalicionit-ldk-ne/